Deputetja e Partisë Demokratike në Shkodër, Greta Bardeli, ka reaguar lidhur me situatën e rëndë të krijuar në zonën e Dukagjinit, pas shembjes së një pjese të rrugës që lidh Prekalin me Urën e Shtrenjtë.
Sipas saj, shembja në segmentin e njohur si “Shkallë Logje” ka izoluar tre njësi administrative të Dukagjinit, ndërsa një tjetër rrëshqitje është konstatuar në zonën e Gështenjës së Thaçit, mbi fshatin Kir, që lidh Pultin me Shoshin.
Bardeli e cilëson situatën si një papërgjegjshmëri të rëndë dhe braktisje nga institucionet shtetërore, duke theksuar se banorët po përballen me vështirësi serioze për lëvizjen dhe jetesën e përditshme.
“E gjithë zona aktualisht është pa energji elektrike. Banorët janë të izoluar dhe të braktisur nga shteti”, është shprehur ajo.
Deputetja kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për rikthimin e qarkullimit rrugor dhe furnizimit me energji elektrike, si dhe marrjen e masave për të shmangur izolimin e mëtejshëm të zonës.
