Një shtetas shqiptar, i shpallur në kërkim nga Interpol Tirana, është arrestuar nga policia greke në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, teksa tentonte të hynte në Shqipëri gjatë ditës së Krishtlindjeve.
Gjatë kontrollit të dokumenteve, nga verifikimi i pasaportës në sistem rezultoi se ai ishte i dënuar nga drejtësia shqiptare me 4 muaj burg për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve. Pas konstatimit, autoritetet greke e ndaluan menjëherë, ndërsa dosja e tij iu referua Prokurorisë së Janinës për nisjen e procedurave të ekstradimit drejt Shqipërisë.
Po në të njëjtën pikë kufitare, policia greke arrestoi edhe dy shtetas të tjerë shqiptarë, të cilët rezultonin të kërkuar nga autoritetet greke. Njëri prej tyre ishte i dënuar nga Gjykata e Athinës me 3 vite burg për shmangie taksash, ndërsa tjetri kërkohej me urdhër arresti nga Prokuroria e Kilkisit për veprën penale të ryshfetit.
Autoritetet greke bëjnë me dije se kontrollet në pikat kufitare janë forcuar gjatë periudhës së festave, për shkak të fluksit të lartë të udhëtimeve.
