Stuhitë përfshijnë Italinë, një viktimë në Romë dhe përmbytje në jug

Data

Moti i keq ka goditur rëndë Italinë, duke shkaktuar një viktimë dhe dy të plagosur rëndë, ndërsa situata paraqitet kritike në disa rajone të vendit.

Në Romë, një 58-vjeçar humbi jetën pasi një masiv dheu u shkëput nga një kodër dhe u shemb mbi banesën e tij trekatëshe. Autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes, ndërsa ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë në zonë.

Gjendja është përkeqësuar edhe në Kalabri, ku dy lumenj dolën nga shtrati, duke izoluar dhjetëra familje dhe duke mbuluar rrugët me baltë. Reshjet intensive kanë arritur mbi 260 milimetra brenda 48 orëve, duke shkaktuar përmbytje dhe dëme të konsiderueshme.

Ndërkohë, në Europën Perëndimore, stuhia e fuqishme “Nils” ka përfshirë Francën pasi kaloi gadishullin Iberik. Në Francë janë raportuar dy viktima dhe rreth 900 mijë banesa kanë mbetur pa energji elektrike. Në Spanjë, një grua humbi jetën, duke e çuar në tre numrin e viktimave nga kjo stuhi.

Erërat që tejkaluan 100 km/h plagosën mbi 80 persona në Katalonjë dhe detyruan mbylljen e shkollave si dhe anulimin e qindra fluturimeve.

Në total, katër stuhitë e njëpasnjëshme të dy javëve të fundit – Kristin, Leonardo, Marta dhe Nils – kanë shkaktuar 24 viktima në Portugali, Marok, Spanjë dhe Francë. Dëmet në infrastrukturë dhe bujqësi vlerësohen të kenë kaluar 4 miliardë euro, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë punën për rikthimin e normalitetit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related