Gazetari Poli Hoxha ka komentuar largimin e Engjëll Agaçit nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, duke e lidhur këtë zhvillim me presionin ndërkombëtar ndaj qeverisë shqiptare dhe me hetimet e SPAK.
I ftuar në një studio televizive, Hoxha u shpreh se gjatë vizitës së fundit në Bruksel, kryeministrit Edi Rama i janë përcaktuar “vija të kuqe” nga drejtues të Bashkimit Europian, veçanërisht në lidhje me çështje të ndjeshme si hetimet për zyrtarë të lartë dhe debatin për imunitetin.
Sipas tij, diplomacia europiane ka dhënë sinjale të qarta përmes qëndrimeve zyrtare, ndërsa zhvillimet e fundit, përfshirë largimin e figurave kyçe nga poste të rëndësishme, mund të jenë tregues i një faze të re presioni politik.
Hoxha theksoi se Agaçi ka qëndruar rreth 14 vite në detyrë dhe është thirrur më herët në SPAK, përfshirë në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës. Ai kujtoi se, ndonëse disa çështje për inceneratorët janë mbyllur, ekziston një hetim i veçantë për mënyrën e organizimit dhe vendimmarrjes në Këshillin e Ministrave, ku roli i Sekretarit të Përgjithshëm konsiderohet kyç.
Sipas gazetarit, situata e Agaçit përballë drejtësisë është e vështirë, duke shtuar se ai mund të përballet edhe me akuza të tjera, përfshirë pengim të drejtësisë. Hoxha argumentoi se çdo vendimmarrje e rëndësishme e qeverisë kalon përmes Këshillit të Ministrave, çka, sipas tij, e vendos ish-sekretarin e përgjithshëm në qendër të disa proceseve që aktualisht janë nën hetim.
Në këtë kontekst, ai e interpretoi largimin e Agaçit si një sinjal të parë të ndikimit të presionit ndërkombëtar dhe zhvillimeve të brendshme në raport me drejtësinë.
