Reperi i njohur shqiptar Stresi ka bërë publik vendimin e tij për t’u kandiduar për Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, duke konfirmuar një nga propozimet e bëra nga kreu i demokratëve, Sali Berisha, në prag të Kuvendit Kombëtar të PD-së.
Përmes një mesazhi publik, artisti theksoi se kandidimi i tij nuk lidhet vetëm me politikën, por me përfaqësimin e të rinjve dhe nevojën për një zë më të fortë të brezit të ri në proceset vendimmarrëse.
“Sot kam vendosur të hedh një hap më shumë për vendin tim, për të rinjtë dhe për zërin e një brezi që shpesh është ndjerë i papërfaqësuar”, shprehet Stresi në reagimin e tij.
Ai theksoi se vjen nga realiteti i përditshëm dhe sfidat që përballen të rinjtë shqiptarë, duke shtuar se dëshiron që këto shqetësime të përfaqësohen në strukturat drejtuese të partisë.
Sipas reperit, rinia duhet të marrë një rol më aktiv në jetën publike dhe politike të vendit.
“Ka ardhur koha që rinia të ngrihet, të flasë dhe të marrë vendin që meriton. E ardhmja nuk pret dhe ajo ndërtohet nga ne”, u shpreh ai.
Kandidimi i Stresit vjen në një moment kur Partia Demokratike po zhvillon procesin e riorganizimit të strukturave të saj drejtuese, ndërsa Kuvendi Kombëtar i së shtunës pritet të zgjedhë anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar dhe të shpalosë prioritetet politike për periudhën e ardhshme.
