Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka reaguar ndaj të dhënave të fundit të publikuara nga INSTAT për vitin akademik 2025–2026, duke i cilësuar ato si tregues të një krize të thellë në arsimin e lartë dhe në zhvillimin demografik të vendit.
Sipas Xhaferrit, universitetet shqiptare po përballen me një rënie të vazhdueshme të numrit të studentëve, ndërsa ai akuzoi qeverinë për mungesë politikash efektive në mbështetje të rinisë dhe arsimit.
“Shifrat më të fundit të INSTAT janë dëshmia më e qartë e dështimit të politikave të qeverisë Rama ndaj arsimit, rinisë dhe të ardhmes demografike të Shqipërisë”, u shpreh deputeti demokrat.
Referuar të dhënave statistikore, Xhaferri theksoi se universitetet publike kanë humbur rreth 31% të studentëve gjatë dekadës së fundit. Sipas tij, nga 116.8 mijë studentë të regjistruar në vitin 2016, numri ka zbritur në rreth 81 mijë në vitin akademik aktual.
Ai vuri në dukje se vetëm gjatë vitit të fundit akademik universitetet shtetërore kanë shënuar një rënie prej 6.8% të numrit të studentëve.
Deputeti demokrat shtoi se edhe në nivel kombëtar numri total i studentëve është tkurrur ndjeshëm, duke kaluar nga 141.4 mijë në rreth 115.7 mijë studentë brenda dhjetë viteve të fundit.
“Kjo nuk është thjesht një rënie statistikore. Është një kambanë alarmi kombëtar dhe drama më e madhe që mund t’i ndodhë një kombi”, deklaroi Xhaferri.
Sipas tij, largimi i të rinjve, ulja e regjistrimeve në universitete dhe emigracioni i vazhdueshëm i studentëve dhe profesionistëve përbëjnë sfida serioze për të ardhmen ekonomike dhe sociale të vendit.
