Strategjia antikorrupsion, ministrja Pirdeni: Për herë të parë një objektiv që adreson integritetin e biznesit

Data

Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, zhvilloi dje Tryezën e Hapur për Debat Publik me temë: “Parandalimi i korrupsionit në sektorin privat dhe ndërtimi i një shoqërie me integritet përmes rolit të shoqërisë civile”. Në fjalën e saj në këtë tryezë ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, deklaroi dje se, progresraporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë udhëheq punën e qeverisë për parandalimin e korrupsionit.

Në fjalën e saj në, Pirdeni u shpreh se, “fokusi i tryezës së sotme është i kufizuar vetëm për çështje që kanë të bëjnë me integritetin në biznes dhe integritetin në tërësi në shoqëri dhe besoj në tryezat e ardhshme do të kemi mundësi që gjithashtu të angazhohemi në diskutim për çështje që kanë të bëjnë dhe me integritetin në sektorin publik”.

Ministrja u shpreh se, janë miratuar dy udhërrëfyes që kanë shërbyer si piketa për hapjen e grup-kapitullit të parë të negociatave. Ministrja përmendi disa nga detyrimet që burojnë nga udhërrëfyesi, sikurse u shpreh ajo, është miratimi i një Strategjie të re për Antikorrupsionin, që është përmendur gjithashtu në progresraport. Për sa i përket sektorit privat, Pirdeni tha se, “për herë të parë në Strategji përfshihet një objektiv specifik, i cili adreson integritetin në biznes. Nuk ka qenë më parë i përfshirë dhe besoj që dhe analiza dhe diskutimi që është elaboruar në kuadër të punës së kryer nga ekspertët në fakt ushqen pikërisht diskutimin që është e nevojshme që përveç integritetit në sektorin publik, të përqendrojmë vëmendjen gjithashtu në këtë drejtim”.

“Sikurse buron dhe nga detyrimet që Shqipëria ka në kuadër të procesit të negociatave brenda vitit 2027, Shqipëria duhet të ratifikojë Konventën e OECD-së për çështjet e parandalimit të ryshfetit në transaksionet ndërkombëtare të biznesit. Një çështje, e cila sigurisht do të jetë pjesë e debatit dhe diskutimit dhe me të drejtë është ngritur dhe nga ju në analizën që parashtruat”, tha Pirdeni. Sa i përket çështjeve të menaxhimit të riskut të korrupsionit të ndërmarrjeve shtetërore, Pirdeni përgëzoi për analizën e kryer në lidhje me këtë sektor.

“Ka qenë një nga organizatat e shoqërisë civile, e cila që në korrik të këtij viti e ngriti si shqetësim që përveç sektorëve me risk që ka trajtuar Strategjia, sikurse është sektori i pronave, sektori i prokurimeve publike, sektori i tatimeve edhe doganave, sektori i shëndetësisë, sektori i arsimit, do të duhet të përqendrojmë vëmendjen edhe tek një fushë me interes të veçantë, sikurse është parandalimi i korrupsionit në ndërmarrjet me pronësi publike ose ku pjesë më e madhe e aksioneve i përket shtetit”, tha Pirdeni.

Për këtë arsye, shtoi ministrja, “ne kemi përfshirë dhe një masë të re në Strategji, pikërisht për të adresuar vlerësimin e riskut në këto sektorë, ose në këtë fushë ku presupozohet që dhe vigjilenca duhet të jetë më e lartë, për shkak të faktit që këto institucione gjithsesi janë mbartëse në njëfarë forme të një detyrimi publik për të qenë më transparent, për të pasur mekanizma integriteti dhe mekanizma të forcuara llogaridhënieje në raport me strukturat e tjera të biznesit privat, të cilat operojnë në një treg të hapur”.

 

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related