“Po dënohem pa të drejtë dhe pa fakte”. Këtë pretendim ngriti dje në seancë në gjykatën e Apelit të Posaçëm, Laert Haxhiu, i dënuar me burgim të përjetshëm në shkallën e parë për masakrën e Lushnjes në vitin 2017 me dy të vrarë e dy të plagosur. Përballë prokurorëve të çështjes, Altin Dumani dhe Doloreza Musabelli, avokati i Laert Haxhisë, kërkoi riçeljen e shqyrtimit gjyqësor, duke thënë se SPAK nuk ka bërë veprime të plota hetimore. “Është rasti i parë në historikun e kësaj godine, që ngrihet akuzë pa bërë veprim hetimor. Kërkoj caktimin e një eksperti për pamjet filmike të karburantit, të përcaktojë nëse është Laert Haxhiu në automjet ose jo”, tha ai.
Reagon SPAK
Për prokurorët, nuk ka vend për rieskperim të pamjeve filmike, pasi ato nuk janë prova e vetme dhe gjatë procesit gjyqësor janë pyetur dëshmitarë të propozuar si nga pala e të pandehurit ashtu edhe nga trashëgimtarë të viktimave. “Më shqetësoi një fjali e përdorur nga ana e mbrojtjes kur thotë prova ekstra ligjore për devijimin e se vërtetës, ne nuk përdorim prova ekstra ligjore”, tha Altin Dumani, prokurori dhe kreu i SPAK.
Debatet
Seanca pati tensione në të cilën u desh ndërhyrja e gjyqtarit Florian Kalaja duke i tërhequr vëmendjen babait të Laert Haxhiut i cili bënte gjestikulacione ndaj të birit dhe avokatit duke i kërkuar me ngulm të flasin për të vërtetën e tyre. “Unë jam ai që e vuaj këtë zoti gjyqtar”, u shpreh babai i 32-vjeçarit të dënuar. Seanca u shty për më 13 nëntor, pasi avokati kërkoi të konsultohet në ambientet e burgut 313 me Laert Haxhiun, të dënuar për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës si dhe për plagosjen e Marjus Xhepexhiu dhe të Bujar Turkut 7 vite më parë. Leart Haxhiu ka apeluar vendimin e shkallës së parë që vendosi burg përjetë në mungesë për 32 vjeçarin, i akuzuar për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës si dhe për plagosjen e Marjus Xhepexhiu dhe të Bujar Turkut.
Haxhiu është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Posaçme më 24 prill të këtij viti, për atë që është cilësuar si “Masakra e Lushnjes”, ngjarje e shënuar në vititn 2017, ku dy persona mbetën të vrarë dhe dy të tjerë të plagosur. Dënimi ndaj tij u dha për kryerjen e një sërë veprash penale si “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Detajet e plota
Avokati i Leart Haxhiut, Detar Hysi, në seancën e djeshme në Apelin e Posaçëm ka kërkuar riçeljen e shyqrtimit gjyqësor, pasi sipas tij SPAK nuk ka bërë veprime hetimore. Ndërkohë, Laert Haxhiu është shprehur se po dënohet pa të drejte dhe pa fakte.
