Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, është takuar në Vjenë me Brendan Hanrahan, Zyrtar i Lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë, në kuadër të Ministerialit të OSBE.
Sipas njoftimit zyrtar, diskutimet u përqendruan tek thellimi i bashkëpunimit strategjik shumëplanësh me SHBA, me fokus të veçantë në fusha si ekonomia, tregtia, investimet dhe energjia.
“Shqipëri–SHBA, partneritet strategjik mbi një aleancë historike,” shkroi Spiropali në një postim në rrjetet sociale, duke theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve vijojnë të konsolidohen në të gjitha drejtimet.
Takimi në Vjenë vjen në një moment kur bashkëpunimi me SHBA mbetet një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme shqiptare, veçanërisht në fushat e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe integrimit euroatlantik.
