Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, ka reaguar për herë të parë ndaj thashethemeve që shpërthyen pas publikimit të disa fotove ku bashkëshortja e tij, Usha Vance, shihej pa unazën e martesës gjatë një vizite zyrtare në një bazë ushtarake, ku ndodhej bashkë me Zonjën e Parë, Melania Trump.
“Besoj se e shohim paksa qesharake,” tha Vance në një intervistë për NBC News, duke u përgjigjur për kritikat dhe aludimet që pasuan pamjet virale. “Ashtu si në çdo aspekt të jetës publike, merr të mirën me të keqen.”
Fotot e Usha Vance pa unazë kanë nxitur diskutime të gjera në rrjetet sociale, por zv.presidenti amerikan e minimizoi plotësisht situatën, duke theksuar se çifti nuk është aspak i prekur nga këto zëra.
“Nuk mendoj se na ka ndikuar. Është qesharake dhe po e marrim me sportivitet,” tha ai, duke shtuar se këtë gjë e kanë përjetuar edhe më parë. Ai tregoi madje se së fundmi bashkëshortja e tij i kishte harruar unazat sërish:
“Kur e kuptoi, më pyeti nëse duhej të ktheheshim pas. I thashë: Lëri të flasin. Nuk ia vlen.”
Nga ana e saj, Usha Vance ka zgjedhur të mos e komentojë drejtpërdrejt çështjen, por sipas bashkëshortit të saj, ajo po e përballon situatën “me qetësi dhe humor”.
Vance pranoi se jeta publike sjell sfida të pashmangshme për familjen.
“Ka padyshim gjëra të vështira, por është diçka për të cilën kemi qenë të përgatitur dhe e pranojmë,” u shpreh ai.
Në fund, zv.presidenti dha mesazhin që mbylli çdo dyshim:
“Martesa jonë është më e fortë se kurrë.”
