Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka zgjedhur Ditën e Europës për të përcjellë mesazhe të forta politike, të cilat janë interpretuar si sinjale të koduara edhe brenda mazhorancës.
Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali theksoi se Europa përfaqëson një model ku pushteti kufizohet nga ligji, dinjiteti i njeriut vlen më shumë se forca dhe shteti nuk është pronë personale e askujt.
“Europa për ne është pjesë e një bote ku pushteti kufizohet nga ligji, ku dinjiteti i njeriut vlen më shumë se forca dhe ku shteti nuk është pronë e askujt”, shkroi ajo.
Spiropali u ndal edhe te rrugëtimi europian i Shqipërisë, duke e cilësuar atë jo vetëm një proces negociatash, por një proces qytetërimi dhe përballjeje me vetveten.
Sipas saj, integrimi europian mbetet rruga më e rëndësishme dhe e vetme që shqiptarët kanë zgjedhur, pavarësisht vështirësive dhe zhgënjimeve ndër vite.
Mesazhi i Spiropalit vjen në një moment tensionesh politike dhe debatesh të forta në vend, ndërsa deklaratat e saj janë parë nga analistët si sinjale të tërthorta për mënyrën e ushtrimit të pushtetit dhe raportin me demokracinë e shtetin ligjor.
