Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, vizitoi në Spitalin e Traumës efektivët e plagosur gjatë operacionit policor në Maliq, ku humbi jetën një punonjës i Policisë së Shtetit dhe u plagos një tjetër.
Në një deklaratë për mediat, Lamallari u shpreh se gjendja e efektivit të plagosur është e stabilizuar, ndërsa theksoi se mjekët po bëjnë maksimumin për trajtimin e tij.
Ministri njoftoi se do të zhvillohet një hetim i thelluar për të gjitha përgjegjësitë disiplinore dhe ligjore që lidhen me menaxhimin e operacionit, duke theksuar se çdo drejtues ka detyrimin të garantojë sigurinë dhe jetën e punonjësve të policisë gjatë kryerjes së detyrës.
Lamallari bëri me dije gjithashtu se efektivi që humbi jetën në krye të detyrës do të shpallet “Dëshmor i Atdheut”, në nderim të sakrificës së tij në shërbim të rendit dhe sigurisë publike.
“Çdo situatë e tillë kërkon hetim të thelluar mbi përgjegjësitë disiplinore dhe ligjore për menaxhimin e saj. Një hetim i tillë ka nisur dhe do të shkojë deri në fund”, deklaroi ministri.
