Peter Magyar betohet si kryeministri i ri i Hungarisë pas largimit të Orbanit, sfidat e mëdha që e presin 45-vjeçarin

Data

Peter Magyar është betuar si kryeministri i ri i Hungarisë, duke i dhënë fund 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbanit pas zgjedhjeve parlamentare të zhvilluara muajin e kaluar.

45-vjeçari, lider i partisë së qendrës së djathtë Tisza, siguroi një fitore të thellë elektorale, me partinë e tij që fitoi 141 nga 199 vendet në Parlament.

Magyar erdhi në pushtet me premtime për ndryshim politik dhe ekonomik, pas një periudhe të gjatë stanjacioni ekonomik dhe tensionimi të marrëdhënieve të Hungarisë me Bashkimin Europian gjatë qeverisjes së Orbanit.

Një nga sfidat kryesore të kryeministrit të ri do të jetë rivendosja e marrëdhënieve me BE-në dhe zhbllokimi i rreth 20 miliardë dollarëve fonde europiane të ngrira për Budapestin.

Fondet u pezulluan nga Bashkimi Europian për shkak të shqetësimeve mbi sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe akuzat për dobësim të institucioneve demokratike gjatë qeverisjes së mëparshme.

Magyar do të përballet gjithashtu me nevojën për të ringjallur ekonominë hungareze dhe për të ulur deficitin buxhetor, ndërsa pritet të ndryshojë edhe kursin diplomatik të vendit ndaj Brukselit dhe Moskës.

Gjatë viteve të fundit, Hungaria kishte krijuar marrëdhënie të afërta me Rusinë, ndërsa Viktor Orban shpesh përdorte veton në Këshillin Europian për të kundërshtuar sanksionet ndaj Moskës dhe mbështetjen për Ukrainën.

Analistët e konsiderojnë ardhjen e Magyarit si një ndryshim të rëndësishëm politik në Europën Qendrore dhe një test të madh për orientimin e ardhshëm europian të Hungarisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related