Vala e aksionit më urdhër nga lart dhe zbatim nga poshtë, që ka përfshirë nga dorëheqjet e detyruara deri te prishja në sezon e çdolloj investimi të kryer me leje dhe paguar taksë lokale, ka shkaktuar përkundër pritshmërive pak revoltë dhe kjo e kufizuar në komunitete të caktuara. Po të shkojmë më tej dhe të shohim se si edhe komunitete që protestuan me muaj të tërë kundër një qeverie që po u prishte pronat apo marrë ujin pa asnjë llogaridhënie si në Hotolisht të Librazhdit apo Tragjas të Vlorës dhe prapëseprapë votuan mbi 70 përqind partinë në pushtet, duket qartë se kemi të bëjmë me një fenomen të sjelljes në turmë që e shpjegon vetëm psikologjia e turmave. Kjo e fundit si term shpjegues u përdor qysh në fund të shekullit të 19-të nga psikologu social francez Gustav Le Bon dhe në thelb argumentonte se turmat mund të drejtohen më lehtë duke stimuluar emocionet dhe pasionet e tyre, sesa duke u bazuar në argumente logjike. Liderë mesatarë në intelekt por të cilët i flasin emocionit dhe anës instiktive të turmave, shpesh përmes armëve të propagandës, infektojnë në shkallë të gjerë turma në të cilat arsyeja dhe logjika individuale humbet si gjilpëra në kashtë. Për rrjedhojë, mbajtja dhe perpetuimi i pushtetit bëhet më i lehtë për atë që e kontrollon.
Në përgjithësi mund të themi që një popull që vuan nga amnezia kolektive edhe e ngjarjeve që kanë pak që kanë ndodhur dhe në retrospektivë reflektojnë ende padrejtësi, e ka të pamundur të kryejë katharsisin e domosdoshëm për t’u ringjallur si Feniksi i mitologjisë dhe ri-gjetjen e identitetit që shenjon vendin e vet në kaleidokopin global që priret të shkojë drejt uniformitetit. Bota sot është gjithnjë dhe më e rrafshët siç na rrëfente dikur Thomas Freedman-i dhe vlerat komunitare janë ato që mishërohen nga tradita dhe ruajtja e kulturës së një vendi, përbërës këto aspak dekorativë, por funksionalë në një botë përherë dhe më të hapërdarë. Në këtë prizëm, bota në përgjithësi dhe Shqipëria në veçanti ka nevojë për më shumë konservim të vlerave kulturore, për ruajtjen traditave të mira, për ruajtjen e rrënjëve identifikuese duke filluar nga shenjuesit urbanë dhe jo prishjen dhe rrumpallën që prodhon, shëmtitë arkitekturore, dhe anarkinë sociale që prodhon një pushtet i papërgjegjshëm.
Kultura politike është një conditio sine qua non për të rifituar kredencialet demokratike që në një vend me të kaluar totalitare si Shqipëria, ku gjurrmët janë ende të pashlyeshme edhe sot. Nga kjo rrjedhin shumë gjëra, nga dobësia sistematike e institucioneve deri te atrofia e nervit publik, e manifestuar me zë protestues anemik apo ojf që ekzistojnë vetëm për të marrë llokmën e radhës. Partitë politike gjithashtu shpesh kanë qenë përfaqësim i interesave segmentare sesa zë i fuqishëm në mbrojtjen e interesit publik. Natyrisht ky konstatim nuk synon as të bëj përgjithësime të panevojshme dhe as paralele që nuk përkojnë me realitetin. Shkurt, qartë dhe shqip, qeveria është gjithmonë problemi siç na kujton Regani dhe si e tillë ajo mban barrën kryesore të përgjegjësisë. Aq më tepër kur është duke hyrë në mandatin e katërt dhe qysh prej 2017-ës i ka pasur krejt për vete me kazan, me kusi dhe tepsi. Media, e hapërdarë, e fragmentarizuar dhe shpesh edhe e kontrolluar, ka qenë një zë jo gjithmonë efektiv në ruajtjen e parametrave demokratikë që një shoqëri e kapur në tranzicion si peshqit në rrjetë, nuk mund të tejkalojë vetveten.
