Partia Demokratike vijon të publikojë dokumente të asaj që e quan skemë korruptive të zv/kryeministres njëkohësisht ministre e Energjetikës, Belinda Balluku se ka tregtuar energji elektrike në mënyrë të paligjshme, duke i sjell një dëm prej rreth 180 milion euro Buxhetit të Shtetit. Pak ditë pasi PD dorëzoi padinë në SPAK, kreu i grupit parlamentar të PD-së ka publikuar dje dokumente të reja ku mbështetet kallëzimi i tyre se ka lejuar shitjen më lirë dhe blerjen më shtrenjtë të energjisë jashtë Bursës, duke i krijuar favorizim kompanive private. Në postimin në Facebook ku bashkangjit dokumentet, Bardhi thotë se kemi të bëjmë me një aferë monstruoze që i bëhet një populli të varfër, që e paguan shtrenjtë energjinë elektrike, vetëm se Belinda Balluku dhe një grusht kompanish të përzgjedhur prej saj, kanë vendosur të pasurohen në kundërshtim me ligjin.
“Dokumentet zyrtare tregojnë se me firmë dhe me vulë Belinda Balluku ka vendosur që volumet e blera në tregun vendas të energjisë do të prokurohen ekskluzivisht nëpërmjet tregut (ALPEX) në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 43/2015 të sektorit të energjisë elektrike, pavarësisht origjinës së energjisë në fjalë, duke filluar nga viti 2023. Mirëpo, për llogari të një grushti klientësh privatë, në shkelje flagrante të ligjit, ka lejuar shitjen më lirë dhe blerjen më shtrenjtë të energjisë jashtë Bursës, duke i krijuar favorizim kompanive private dhe duke i sjell një dëm prej rreth 180 milion euro Buxhetit të Shtetit. Ky është një krim shtetëror! Kjo është një aferë monstruoze që i bëhet një populli të varfër, që e paguan shtrenjtë energjinë elektrike, vetëm se Belinda Balluku dhe një grusht kompanish të përzgjedhur prej saj, kanë vendosur të pasurohen në kundërshtim me ligjin”, thotë Bardhi.
