Mashtrim me makina me qira: Reklamonin online, merrnin pagesat dhe nuk kryenin shërbimin – Prokuroria Shkodër dërgon në gjyq 4 persona

Data

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq katër persona, të akuzuar për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh, pas një skeme të organizuar për dhënie fiktive të makinave me qira.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, shtetasit me iniciale A.K. dhe O.K., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë hapur një faqe interneti fiktive me emrin “Autorental Tirana”, ku reklamonin automjete të ndryshme për dhënie me qira.

Të pandehurit përdornin një numër telefoni të regjistruar në emër të një personi të tretë për të komunikuar me klientët e interesuar. Pasi merrnin pagesat për rezervimin e mjeteve, automjetet nuk dorëzoheshin kurrë në destinacionet e kërkuara, duke shkaktuar dëm financiar tek qytetarët.

Në këtë skemë rezulton e përfshirë edhe shtetasja M.P., e cila, duke qenë punonjëse pranë subjektit “F.K” PF, ka siguruar numrin e telefonit të përdorur për mashtrimin, duke e regjistruar në emër të një personi që nuk kishte dijeni për përdorimin e tij.

Po ashtu, hetimet zbuluan se shtetasi A.K., administrator i subjektit “ERGI-2012”, me aktivitet ndër të tjera “transferta parash”, ka firmosur formularë të tërheqjes së shumave të parave në emër të një personi tjetër, për pagesat e kryera nga qytetarët që mendonin se po rezervonin makina me qira.

Akuzat ndaj të pandehurve:

  • A.K. dhe O.K. – “Mashtrim”, i kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, sipas nenit 143/2 të Kodit Penal
  • M.P. – “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, sipas nenit 190/3 të Kodit Penal
  • A.K. – gjithashtu i akuzuar për “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, i kryer më shumë se një herë, sipas nenit 190/2 të Kodit Penal

Pas kryerjes së të gjitha veprimeve hetimore dhe procedurale në kuadër të procedimit penal nr. 71, të vitit 2024, Prokuroria ka dërguar çështjen për gjykim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related