Afera e Aeroportit të Vlorës, me një kosto 138 milionë euro nga buxheti i shtetit dhe me pasoja të rënda për zonën e mbrojtur të Lagunës së Nartës, është vënë zyrtarisht nën hetim nga SPAK. Në përgjigje të një kërkese për informacion, Prokuroria e Posaçme ka konfirmuar se ka regjistruar një procedim penal për këtë kontratë koncesionare, e cila u përgatit, u promovua dhe u mbikëqyr politikisht nga ministrja Belinda Balluku. Emri i Ballukut përmendet në kallëzimet penale të dorëzuara në SPAK, ku akuzohet për favorizim dhe përfshirje në skemën e manipulimit të procedurës.
Në qendër të hetimit është mënyra se si kompania e ndërtimit “Mabco Construction” e Behgjet Pacollit pa asnjë përvojë në fushën e aviacionit arriti të marrë kontrollin pothuajse të plotë të projektit përmes një skeme të dyshimtë, ku partnerët turq u larguan papritur dhe aksionet iu shitën për vetëm 4.450 euro. Ndërkohë, dokumentet zyrtare, studimet e fizibilitetit të dyshimta, garancia për të ardhura minimale nga shteti dhe shkelja flagrante e ligjit për zonat e mbrojtura janë tashmë pjesë e një dosjeje që rrezikon të kthehet në një nga hetimet më të mëdha për korrupsion të nivelit të lartë në sektorin e infrastrukturës.
