Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Omaha, në shtetin e Nebraska, ku dy automjete u përfshinë nga një gropë e madhe që u hap papritur në mes të rrugës.
Pamjet, të publikuara nga Omaha Police Department, janë kapur nga një kamerë trafiku në kryqëzimin e 67th Street me Pacific Street. Në video shihen dy makina të ndaluara në semafor të kuq, kur asfalti shembet poshtë tyre dhe mjetet bien brenda gropës.
Disa automjete të tjera arritën të ndalojnë në kohë, duke shmangur rënien për pak metra. Menjëherë pas incidentit, qytetarë që ndodheshin pranë vendngjarjes vrapuan për të ndihmuar drejtuesit e makinave.
Autoritetet po hetojnë shkaqet e shembjes së rrugës, ndërsa zona u bllokua për siguri dhe për ndërhyrje emergjente.
