SPAK vijon goditjet brenda mazhorancës, merr të pandehur kryebashkiakun e Devollit, ja akuzat që rëndojnë mbi…

Data

Prokuroria e Posaçme (SPAK) vijon goditjet brenda mazhorancës socialiste, teksa ka marrë të pandehur kryetarin e Bashkisë së Devollit, Eduart Duron, të cilin e akuzon “shpërdorim detyre”.  Eduard Duro, kryebashkiaku socialist i Devollit rrezikon të humbë mandatin pasi është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme që e akuzon për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, në lidhje me licencimin e një objekti të ndërtuar pa leje në territorin e bashkisë që drejton. Siç raportohet, Eduard Duro është njohur ditë më parë me vendimin e SPAK për ngritjen e akuzës zyrtare dhe marrjen e tij të pandehur.

Ai akuzohet se ka licencuar një karburant, godina e të cilit në fakt ishte ndërtim pa leje. Kjo do të thotë se hetimet kanë përfunduar dhe çështja është gati për t’u dërguar për gjykim, ndaj kryebashkiaku socialist i Devollit ka marrë tashmë statusin i pandehur. Kjo nuk e bën atë fajtor, por është në cilësinë e personit të dyshuar për kryerjen e një vepre penale. Eduard Duro i shtohet listës së gjatë të zyrtarëve të lartë socialistë, duke përfshirë ministra e ish-ministra, deputetë dhe kryebashkiakë që janë goditur nga SPAK për shkak të veprave penale që lidhen kryesisht me shpërdorimin e detyrës.

Reagon Duro

Por pak pasi SPAK njoftoi marrjen si të pandehur të kryebashkiakut socialist të Devollit, Eduard Duro, ka reaguar vetë ky i fundit, duke u shprehur se procedurat ishin konform ligjit dhe Sektori i tatim-Taksave ka dhënë autorizimin për shitje të karburantit, për të cilin akuzohet se ka dhënë licencën në mënyrë të paligjshme. Zyrtari vendor këmbëngul se ai ka firmosur çdo gjë që kërkon ligji dhe se bëhet fjalë për “detyrë të plotësuar” nga një kryetar bashkie. “Sektori i tatim-taksave ka dhënë autorizim për shitje karburanti brenda dhe konform ligjit. Shtetasit J.K dhe M.K kanë bërë denoncim se ky dokument nuk duhej dhënë subjektit “Genci Petrol”. Kam firmosur çdo gjë siç e kërkon ligji dhe nuk bëhet fjala për shpërdorim detyre, por për detyrë të plotësuar në kushtet e një kryetari bashkie”, u shpreh Duro në rrjetet sociale.

Edhe Zyra e Shtypit të Bashkisë ka reaguar gjithashtu, duke ndarë dokumentin e autorizimit për subjektin. “Lidhur me lajmin që sapo është publikuar, po ju vendosim në dispozicion autorizimin që është dhënë nga ana e Bashkisë Devoll për karburantin. Autorizimi është bërë nga drejtoria e tatim taksave, konform ligjit. Në këtë rast, nga ana e kryetarit të bashkisë Eduard Duro është firmosur autorizimi, duke plotësuar detyrën në kushtet e një kryetari bashkie. Nga ana e palës tjetër, është bërë denoncim se ky dokument nuk duhej t’i jepej subjektit “Genci Petrol”, por në këtë rast autorizimi është dhënë sipas ligjit”. Ndërkohë kujtojmë se kryebashkiaku 48-vjeçar, Eduard Duro që ka mbaruar studimet për Marketing në Universitetin e Korçës, ka punuar si inspektor kontrolli në Tatimet e Devollit dhe si agjent doganor në Kapshticë, deri në momentin që është zgjedhur si kryebashkiak për PS, në zgjedhjet e 30 Qershorit të vitit 2019 dhe ky është mandati i dytë i tij.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related