SPAK thellon hetimin pasuror ndaj Ballukut, në verifikim llogaritë bankare dhe kompanitë përfituese të tenderëve

Data

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka intensifikuar hetimet ndaj zëvendëskryeministres së pezulluar Belinda Balluku, duke shtrirë verifikimet jo vetëm mbi procedurat e tenderëve, por edhe mbi pasurinë e saj brenda dhe jashtë vendit.

Sipas informacioneve të bëra publike nga gazetarja Klodiana Lala, prokurorët kanë dërguar shkresa pranë bankave të nivelit të dytë, Kadastrës dhe institucioneve të tjera për të siguruar të dhëna mbi pasuritë dhe llogaritë bankare të Ballukut, si dhe të personave të lidhur me të. Po ashtu, është kërkuar informacion edhe nga ILDKPKI për deklarimet e pasurisë ndër vite.

Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se hetimi pasuror po zhvillohet paralelisht me hetimin penal për dyshimet mbi abuzime me tenderat, përfshirë projektet e Tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe. Janë sekuestruar dokumente financiare, bilance, libra shitblerjesh, si dhe pajisje elektronike në disa kompani që rezultojnë përfituese të kontratave publike.

Ndërkohë, në Këshillin e Mandateve pritet të paraqiten prova të reja nga SPAK, ndërsa mbledhja do të zhvillohet me dyer të mbyllura për shkak të materialeve hetimore që konsiderohen sensitive. Sipas raportimeve, hetimet janë zgjeruar edhe ndaj aktivitetit të disa kompanive të përfshira në projektet infrastrukturore.

Balluku aktualisht është e pezulluar nga detyra, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi masën e pezullimit. Hetimi pasuror përfshin periudhën që nga momenti kur ajo ka nisur deklarimin e pasurisë si funksionare publike.

Sipas analizave në media, thellimi i hetimeve dhe zgjerimi i dosjes mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në klimën politike, ndërsa SPAK pritet të vijojë me veprime të tjera hetimore në javët në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related