Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi në Kuvend se opozita kundërshton kalendarin aktual të punimeve, duke kërkuar që me urgjencë të përfshihet në rend dite heqja e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në fjalën e tij, Bardhi akuzoi mazhorancën se prej dy muajsh po pengon hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke shtyrë shqyrtimin e kërkesës për heqjen e imunitetit.
“Futja me urgjencë e kërkesës së prokurorisë për të hequr imunitetin e Belinda Ballukut. Na thatë se do prisnit vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Për dy muaj i mbushët kokën shqiptarëve që një ministër nuk mund të pezullohet se ka imunitet. Morëm përgjigje nga Gjykata Kushtetuese që pezullimi nuk hyn në imunitetin e ministrave. Pastaj thatë do presim zbardhjen e vendimit,” – u shpreh Bardhi.
Ai theksoi se Kuvendi nuk mund të vijojë normalisht punën ndërkohë që, sipas tij, po shmang përmbushjen e një detyrimi kushtetues.
“Për dy muaj jeni bërë pengesë për hetimin e korrupsionit ndaj zyrtarëve të lartë. Ky Kuvend ka dështuar të përmbushë një mision kushtetues. Deri në atë moment, nuk mund të funksionojë normalisht,” – deklaroi ai.
Bardhi akuzoi gjithashtu mazhorancën se po tenton të miratojë ndryshime ligjore për të mbrojtur zyrtarët e lartë nga hetimi, duke i bërë thirrje shumicës parlamentare që të fusë menjëherë në kalendar shqyrtimin e kërkesës për heqjen e imunitetit dhe t’i hapë rrugë hetimeve të SPAK.
