Kryetari i Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, ka komentuar vendimin e Shqipërisë për t’iu bashkuar Bordit të Paqes, një iniciativë e nisur nga presidenti amerikan Donald Trump. Gjatë konferencës për mediat në përmbyllje të vizitës në Tiranë, McAllister bëri të ditur se përfaqësuesit evropianë kanë kërkuar sqarime nga autoritetet shqiptare lidhur me arsyet e këtij vendimi.
Sipas tij, është kuptuar se pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë nismë është mbështetur si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita. Ai theksoi se brenda Bashkimit Evropian nuk ekziston një qëndrim i unifikuar për Bordin e Paqes, pasi disa vende anëtare janë shprehur pro pjesëmarrjes, ndërsa të tjera kanë vendosur të mos i bashkohen.
“Jemi në dijeni për vendimin e Shqipërisë për të marrë pjesë në Bordin e Paqes. Nuk mund të flas në emër të 27 vendeve anëtare, por disa shtete do të marrin pjesë, ndërsa të tjera nuk e kanë ndarë ende mendjen. I pyetëm kolegët tanë pse është marrë ky vendim dhe kuptuam se ka mbështetje të gjerë politike në Shqipëri. Edhe brenda delegacionit tonë ka mendime të ndryshme. Në fund të fundit, kjo është demokracia”, u shpreh McAllister.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në takimin themelues të Bordit të Paqes në Uashington. Kryeministria bëri të ditur se Shqipëria është vend anëtar themelues me mandat trevjeçar dhe se nuk ka detyrime financiare të detyrueshme në këtë fazë.
Sipas deklaratave zyrtare, nisma synon rindërtimin e Gazës dhe forcimin e përpjekjeve për paqe dhe stabilitet në rajon. Autoritetet shqiptare kanë theksuar se Bordi i Paqes nuk synon të zëvendësojë organizatat ekzistuese ndërkombëtare, por të veprojë si një mekanizëm shtesë për nxitjen e paqes.
