Në selinë e Partisë Demokratike ka nisur Foltorja me të rinjtë e Forumit Rinor Demokrat, ku kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka zhvilluar një diskutim të drejtpërdrejtë mbi situatën politike dhe zhvillimet e fundit në vend.
Gjatë fjalës së tij, Berisha e cilësoi ditën e djeshme si një kapitull të errët dhe të pashembullt në historinë e shtetit shqiptar, në lidhje me zhvillimet në Gjykatën Kushtetuese dhe vendimin e marrë ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Ai theksoi se përplasja mes institucioneve dhe drejtësisë ka nxjerrë në pah, sipas tij, degradimin e pushtetit aktual.
“Mos harroni kurrë ditën e djeshme. Ishte një ditë e pashembullt, ku kreu i shtetit, kryeministri dhe kryeparlamentari u vunë përballë një prokurori që kërkonte të zbatonte ligjin. Ditë më të turpshme nuk mund të ketë për një vend,” u shpreh Berisha para të rinjve.
Ai shtoi se përgjegjësia politike nuk mund të ndahet dhe se aty ku ka zyrtarë të përfshirë në skandale, sipas tij, ekziston edhe përgjegjësia direkte e kryeministrit. Berisha theksoi se çdo vendimmarrje dhe çdo veprim duhet të marrë përgjigje politike dhe ligjore.
Në përfundim të fjalës së tij, kreu i opozitës u bëri thirrje të rinjve që të jenë aktivë dhe të mos qëndrojnë indiferentë përballë asaj që ai e cilësoi si një moment kritik për demokracinë dhe shtetin ligjor në Shqipëri.
