Partia Socialiste duket se e ka përqendruar të gjithë fushatën e saj te makineria elektorale dhe administrata publike në qarkun e Fierit, duke zëvendësuar politikën me klientelizëm dhe duke krijuar një klimë frike, të cilën, disa qytetarë dhe kandidatë të opozitës e përshkruajnë gjithnjë e më shpesh si “diktaturë!”
“Po çfarë thua more?! Ëndrra me sy hapur sheh ti?!” Kjo ishte përgjigjja që ky gazetar mori nga një grup të moshuarish, të cilët po luanin domino në qendër të fshatit Libofshë në Fier, ndaj pyetjes nëse ekzistonte ndokush, i cili ishte njëkohësisht i punësuar në administratën publike dhe, gjithashtu, mbështetës i opozitës.
“Ata, edhe kur i fusin në punë, i fusin për t’i nxjerrë nga Partia Demokratike,” shtoi pensionisti, i cili, si shumë të tjerë me të cilët BIRN foli në shumë fshatra dhe qytete të qarkut Fier, nuk pranoi të citohet me emër, për shkak të asaj që mund të konsiderohet si klimë frike dhe terrori nga makineria elektorale socialiste.
