Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë mësyrë beftas një ditë më parë në Portin e Durrësit duke sekuestruar dokumentacion dhe pajisje. Kapitali ka mësuar se aksioni i urdhëruar nga SPAK është zhvilluar në kuadër të një hetimi për kontratën e terminalit të kontenierëve, e cila për koinçidëncë përfundoi pikërisht një ditë më parë. Ngarkim-shkarkimi i kontenierëve të mallrave është një nga bizneset më të mëdha në Portin e Durrësit.
Në vitin 2013, qeveria e atëhershme e Partisë Demokratike e konçesionoi shërbimin tek kompania turke Kurum. Por për shkak se turqit nuk respektuan kontratën, në fund të vitit 2017, ish-ministri i atëhershëm i Infrastrukturës Damian Gjiknuri e anuloi koncesionin. Në vitin 2021, Autoriteti Portual e privatizoi sërish shërbimin, këtë herë përmes një koncesioni të fshehë. Pra autoritet Portual që drejtohej nga zoti Vengu, e mori këtë vendim, pasi dyshohet se mori dritën jeshile nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Përmes një tenderi, APD e kaloi shërbimin e operimit të terminalit të kontenierëve tek një kompani private nga Malta e quajtur Hili Limited, e cila krijoi për këtë qëllim shoqërinë Mariner Adriatic
Sipas kontratës, kompania do të kryente për një periudhë 5 vjeçare shërbimin e ngarkim-shkarkimit të kontenierëve dhe në këmbim Autoriteti Portual do t’i paguante asaj një shifër prej 31 milionë eurosh. Zyrtari që nënshkroi kontratën ishte drejtori i atëhershëm i APD, Pirro Vengu, i cili aktualisht mban postin e ministrit të Mbrojtjes në kabinetin qeveritar të Edi Ramës. Burime i thanë Kapitalit se në qendër të hetimeve të SPAK është pikërisht roli i Vengut, raporton “Kapital.al”.
