Protestat e fermerëve në Greqi do të vijojnë edhe këtë të shtunë, duke sjellë bllokimin e përkohshëm të aksit rrugor Kakavijë–Janinë, një nga rrugët kryesore lidhëse mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë Kufitare, bllokimi do të realizohet në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, nga ora 19:00 deri në orën 22:00, sipas orës greke. Gjatë këtij intervali kohor, qarkullimi do të ndërpritet pothuajse tërësisht.
Autoritetet bëjnë me dije se do të lejohen të kalojnë vetëm automjetet që kanë emergjenca shëndetësore, ndërsa të gjitha mjetet e tjera do të duhet të presin përfundimin e protestës.
Policia Kufitare Kakavijë sqaron se informacioni është marrë përmes Qendrës së Përbashkët të Shkëmbimit të Informacionit me Policinë Kufitare Greke dhe u bën thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe planifikim të udhëtimeve në orare alternative, për të shmangur pritjet dhe vështirësitë në qarkullim.
Autoritetet këshillojnë drejtuesit e mjeteve dhe udhëtarët që përdorin këtë aks të informohen paraprakisht dhe të shmangin lëvizjen në fashën orare të njoftuar, deri në rikthimin e normalitetit të qarkullimit rrugor.
