Vëllai i Fredi Belerit, Leonardo Beleri ka deklaruar se kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës iu është kërkuar të hiqte dorë nga bashkia në këmbim të lirisë.
“Që nga dita e parë e arrestimit e deri më sot, i vetmi sugjerim që i është bërë Fredit është humbja e Bashkisë së Himarës. Domethënë të deklarojë dorëheqjen për të fituar lirinë, tha ai për median greke ERT.
Leonardo Beleri u shpreh se e prisnin dënimin me burg të vëllait të tij, duke shtuar se ky ishte synimi i qeverisë Rama.
“E priste këtë vendim. Fatkeqësisht, që në momentin e parë synimi i qeverisë Rama ishte që Bashkia e Himarës të qëndronte në të njëjtat duar”, tha ai, duke shtuar se nuk ka mundur të kontaktojë me vëllain e tij, pasi nuk e kanë lejuar.
Por siç theksoi ai “tani e tutje do të ndjekim të gjitha procedurat ligjore. Do të shkojmë në Gjykatën e Apelit, më pas do të shkojmë në Gjykatën e Lartë dhe më pas do të shkojmë në gjykatat evropiane, ku do të jetë i sigurt shfajësimi i kryebashkiakut Himarës”.
