“Shqipëria me 4 stinë” – Gonxhja nga Madridi: Turizëm përtej detit, drejt eventeve dhe destinacioneve gjithëvjetore

Data

Shqipëria po prezantohet si një destinacion gjithëvjetor në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Madrid, një nga ngjarjet më të rëndësishme globale për industrinë turistike. Me pavijonin “Albania All Senses”, vendi ynë sjell para vizitorëve kulturën, gastronominë, artizanatin dhe eksperiencat turistike përmes teknologjisë virtuale, degustimeve dhe performancave live.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, gjatë hapjes së pavijonit shqiptar theksoi se modeli klasik i turizmit po ndryshon dhe se Shqipëria synon të shkojë përtej imazhit të plazhit dhe detit.

“Turizmi sot nuk është vetëm rëra dhe çadrat. Shqipëria ka nevojë për turizëm eventesh, destinacionesh, spektaklesh dhe aktivitetesh kulturore e sportive, për të ndërtuar një turizëm të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor,” u shpreh Gonxhja.

Në panair marrin pjesë agjenci turistike, operatorë, shoqata, përfaqësues bashkish dhe ekipe promovuese të kulturës dhe traditave shqiptare, duke synuar një promovim sa më të gjerë të ofertës turistike të vendit. Një rol të rëndësishëm në këtë strategji pritet ta luajë edhe Agjencia Kombëtare e Turizmit, me fokus të veçantë në promovimin digjital dhe virtual.

Ministri theksoi se vëmendja do të përqendrohet edhe te turizmi dimëror, ai i konferencave, si dhe te organizimi i eventeve dhe retrateve ndërkombëtare, me synim rritjen e kapaciteteve hoteliere gjatë muajve jashtë sezonit veror.

“Duhet ta bëjmë turizmin më të qëndrueshëm, më organik dhe të shpërndarë në të gjithë vitin, në mënyrë që investimet të kenë vlerë afatgjatë dhe Shqipëria të promovohet si një destinacion me shumë dimensione,” përfundoi Gonxhja.

Panairi në Madrid do të vijojë edhe gjatë fundjavës, duke u hapur për publikun e gjerë dhe për turistët potencialë që kërkojnë informacion mbi destinacionet e reja europiane, ku Shqipëria synon të jetë gjithnjë e më e pranishme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related