Prokuroria e Posaçme (SPAK) po shkakton terror tek politikanët dhe zyrtarët e lartë. Në raportin e fundit të SPAK, gjatë vitit 2023, në Sektorin e Ekspertizës janë pranuar 345 vendime ekspertimi për ekzaminim provash digjitale me 623 prova në total dhe konkretisht 407 telefona celularë, 76 kompjutera, 19 DVR dhe 121 prova të tjera digjitale (hard disqe, USB, video-regjistrues, tableta, karta memorie, CD/DVD, etj.). “Gjatë vitit 2023 nga ekspertët e këtij sektori janë realizuar 261 akte ekspertimi, ku janë ekzaminuar 453 prova digjitale në total dhe konkretisht 321 telefona celularë, 37 kompjutera, 20 DVR dhe 75 prova të tjera digjitale (si hard disqe, USB, regjistrues, tableta, karta memorie, CD/DVD, etj.). Për vitin 2023 janë realizuar 5 akte ekspertimi më shumë se viti 2022 si dhe 226 akte më shumë se viti 2021. Për vitin 2023 janë ekzaminuar 29 prova digjitale më shumë se viti 2022 si dhe 398 prova digjitale më shumë se viti 2021. Ndryshe nga vitet 2021-2022, ekspertët e këtij sektori janë angazhuar edhe në disa vendngjarje për sekuestrim provash dhe të dhënash kompjuterike, si dhe në vendngjarje dhe ekzaminime në ndihmë të prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm. Gjithashtu për vitin 2023 kemi një rritje të numrit të vendimeve të dërguara për ekspertim krahasuar me vitin 2022 dhe 2021, ku për vitin 2023 janë dërguar për ekspertim në këtë sektor 105 vendime ekspertimi dhe 117 prova digjitale më shumë se viti 2022, si dhe 227 vendime ekspertimi dhe 350 prova digjitale më shumë se viti 2021”, thuhet në raport.
Dosjet e nxehta
Pra SPAK po përdor metodat amerikane me hetimet e tyre. Ishte pikërisht kjo skemë që fundosi dhe Arben Ahmetajn. Një provë e rëndësishme e prokurorisë për ish zv/kryeministrin ka qenë telefoni BlackBerry i gjetur në shtëpinë e bashkëjetueses së Ahmetajt gjatë kontrollit të ushtruar në Hamallaj. Këta telefona janë përdorur nga të korruptuarit pasi thuhet se nuk përgjohen, apo dekriptohen kollaj. Diskutimi është si është e mundur të zbërthehet një telefon blackberry. Shqipëria kërkoi ndihmë nga Izraeli, një nga bërthamat më të investuar nga amerikanët. Ata bënë të mundur rikthimin e çdo bisede që ishte fshirë. Aty u gjendën biseda me nofka të Ahmetajt dhe biznesmenëve dhe vërtetuan çdo njohje duke hedhur poshtë pretendimin e Ahmetajt se nuk i njihte Zoton dhe Mërtirin. Nga ana tjetër, Monika Kryemadhi është në terror dhe pikërisht pasi SPAK i ka sekuestruar një celular në shtëpinë e nënës së saj. Në këtë telefon mësohet se janë rikuperuat biseda me rëndësi për hetimin, ku dalin në pah pazare, pastrim parash dhe pasuri të fshehura. Kjo është edhe arsyeja se pse Kryemadhi këmbëngul që t’i rikthehet telefoni dhe bisedat e zbërthyer të mos marrin vlerën e provës. Thuhet nga ana tjetër se SPAK u ka sekuestruar celularët dhe bashkëpunëtorëve të çifitit Meta-Kryemadhi që dyshohet se janë përfshirë në pastrim parash. Po ashtu gjatë vitit të kaluar SPAK ka bërë terror në administratë, por jo vetëm aty. Edhe zyrtarë të lartë të ushtrisë shqiptare janë përballur me sekuestrime celularësh. Pikërisht lëvizja e prokurorëve erdhi pas hetimeve me tjetërsimin e pronave në ushtri, dosje e cila është drejt mbylljes pas 3 vitesh hetim. Gazeta “SOT” gjithashtu ka mësuar se SPAK së fundmi kanë kryer me dhjetëra vizita “blic” në zyrat e institucioneve shtetërore, duke mbledhur me mijëra e mijëra faqe e dokumente për të provuar akuzat ndaj zyrtarëve të lartë që janë përfshirë në hetim nga SPAK-u, ku janë disa ish-ministra të kabinetit, sekretarë të përgjithshëm të tyre, por edhe zyrtarë të tjerë që janë në funksion apo janë larguar. Burime bëjnë me dije se në skanerin e prokurorëve kanë qenë Ministria e Transporteve, Financave, Bujqësisë, Turizmit dhe drejtoritë që janë në varësi të tyre. SPAK ka sekuestruar dosje, telefona dhe kompjuterë për të thelluar hetimet në abuzime tenderash, koncesionesh dhe afera të tjera korruptive.
