SPAK ka kërkuar shkarkimin nga detyra të prokurorit të Tiranës, Petrit Vukaj, duke argumentuar se ai ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë, si edhe ka shfaqur mangësi profesionale në ushtrimin e detyrës.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesi i SPAK theksoi se nga analiza financiare rezulton pamundësi për të justifikuar një pjesë të pasurisë, përfshirë shpenzimet për ndërtimin e një banese dhe blerjen e një automjeti. Sipas SPAK, këto mospërputhje tejkalojnë pragun e tolerueshëm dhe cënojnë besimin e publikut.
Nga ana tjetër, prokurori Vukaj dhe avokatja e tij i kundërshtuan gjetjet, duke pretenduar se shpenzimet janë deklaruar rregullisht ndër vite dhe se çdo pamundësi financiare e konstatuar është minimale dhe nuk justifikon shkarkimin. Ata argumentuan gjithashtu se vlerësimet profesionale ndaj Vukajt janë të pabazuara.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit u tërhoq për vendimmarrje dhe pritet të shpallë vendimin përfundimtar më 5 shkurt.
