Më 3 janar të vitit tjetër (2025), Apeli i Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) do të shqyrtojë ankimimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për kthimin e ish-kryeministrit Sali Berisha në masën e “arrestit shtëpiak”. Vendimi do të merret nga gjyqtari Engert Pëllumbi, një emër i njohur për integritetin dhe vendimet e forta që kanë bërë bujë në drejtësinë shqiptare.
\Berisha akuzohet për korrupsion pasiv lidhur me aferën e privatizimit të kompleksit “Partizani”, një dosje që ka tërhequr vëmendje të madhe, juridike, publike dhe mediatike. Ky proces është kthyer në simbol të luftës kundër korrupsionit, ndërsa SPAK kërkon rikthimin e tij në masën më të rëndë të sigurisë deri në përfundim të gjyqit, pas vendimit të mëparshëm të gjyqtares Flojera Davidhi për ta lënë të lirë.
Kush është gjyqtari Engert Pëllumbi?
Engert Pëllumbi, gjyqtari që do të shqyrtojë këtë çështje, është i njohur për vendimet e tij të guximshme, përfshirë atë që çoi pas hekurave ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Në shkurt të vitit 2022, Pëllumbi, së bashku me trupën gjykuese të Apelit, shpalli fajtor Tahirin për “Shpërdorim detyre”, duke e dënuar me 3 vite e 4 muaj burg dhe duke i ndaluar ushtrimin e funksioneve publike për 3 vite të tjera. Por kush është gjyqtari Engert Pëllumbi? I diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës në vitin 2011, ai ka pasur një karrierë të spikatur që nga Gjykata e Fierit deri tek Gjykata e Lartë si Këshilltar Ligjor.
Në vitin 2021, Pëllumbi kaloi me sukses procesin e rivlerësimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), duke rezultuar i pastër në të tre kriteret: pasuria, figura dhe aftësitë profesionale. Engert Pëllumbi ka treguar në vazhdimësi vendosmëri në rastet e bujshme dhe nuk është trembur nga presionet politike apo mediatike. Tashmë ai ka në duar një tjetër dosje të nxehtë që mund të shënojë një kthesë në historinë e drejtësisë shqiptare. Seanca për Sali Berishën do të mbahet të hënën, më 3 janar, në orën 10:00. Mirëpo a do të kthehet ish-kryeministri në “arrest shtëpiak” apo do të vazhdojë të përballet i lirë me procesin gjyqësor? Të gjitha sytë janë drejtuar nga Engert Pëllumbi, gjyqtari që mund të vendosë fatin e një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare.
