Ish-deputeti Halit Valteri ka zbuluar prapaskena të bujshme që implikojnë krahun e djathtë të Sali Berishës, Belind Këlliçin, në skema të dyshimta financiare përmes bursave në call center. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Halit Valteri komentoi ne nje media edhe nisjen e hetimit për Belind Këlliçin për falsifikimin e diplomës së gjimnazit dhe deklarimi i rremë në formularin e vetëdeklarimit sikur e ka diplomën, kur kandidoi për deputet dhe më pas për kryetar bashkie të Tiranës, por edhe akuzën për mosdeklarim të pasurisë së bashkëjetueses.
Valteri theksoi se Këlliçi ka një tufë me halle dhe është e implikuar edhe me bursat call center, ndërsa shtoi se ka edhe probleme me deklarimin e parave të fushatës kur kandidoi për drejtimin e Bashkisë Tiranë. “Belindi ka një tufë me halle, se me çfarë është ngatërruar me disa call center. Është implikuar. Është biznes, po jo bursat. Ka probleme me deklarimin e parave të fushatës, një njeri që rri pa punë dhe vetëm i shtohet pasuria, do japë llogari edhe Belo. E pashë shumë të shqetësuar sot”, deklaroi ai. Më tej ish-deputeti Valteri vuri në dukje faktin se zoti Këlliçi ishte shumë i shqetësuar kur doli nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), që sipas tij, madje aludoi edhe ndarjen nga gruaja për t’i shpëtuar SPAK.
Këtë deklaratë të Këlliçit, ai e komenton me ironi, duke thënë se e inkurajojnë të kurorëzohet dhe të përfitojë nga bonuset e Bashkisë Tiranë për banesat për çiftet e reja. “Belo mavria, nga denoncuesi që do bënte namet, është në rolet që duhet të japë llogari dhe nuk e dimë a do e përballojë dot këtë gjë. Sot aludoi ndarjen. Në Tiranë kemi hapur edhe këtë për çiftet e reja për bonus, e inkurajojmë Belon të kurorëzohet dhe të aplikojë, se ia subvencionon Bashkia e Tiranës 100%”, u shpreh ai.
Valteri sulmon Berishën
Ndërkohë ish-deputeti Halit Valteri, akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha se është monopolizues i PD dhe mbështjell rreth vetes vetëm militantë. Teksa ka komentuar zhvillimet e vitit 2024, ai theksoi se pavarësisht lirimit nga “arresti shtëpiak”, vijon gjykimi për Berishën. “Berisha u viktimizua pas asaj që është prangosur lideri i opozitës. Gjykimi për Partizanin është në vijim dhe prokuroria dhe gjykata s’kanë dhënë përfundimin. S’ka vendim gjykate që të thotë a është fajtor apo jo.
Mos të ngatërrojmë lirimin dhe vazhdimin e gjykimit të tij. Emocionet që kanë njerëzit për Saliun, që dikush i thotë grande, dikush i thotë je sipër zotit e poshtë zotit, janë të lirë se jemi në një sistem demokratik. Siç mund të them unë që s’ka lidhje më politikanin që i duhet Shqipërisë por është monopolizues i PD dhe mbështjell rreth vetes ata fanatikë, e kanë zgjedhur militantët. Është monopolizues i opozitës”, tha ai. Po ashtu, ish-deputeti Halit Valteri ka zbuluar ‘paktin’ Meta-Berisha për zgjedhjet parlamentare 2025. Valteri theksoi se Meta kërkon 5 emra të sigurt në listën për deputetë, por sipas tij s’do ketë marrëveshje, pasi vetë Berisha nuk siguron dot as besnikët e tij në vende të sigurta.
“Simboli i korrupsionit është pas hekurave. Unë kam bërë një detyrë fisnike si qytetar që të luftojmë korrupsionin dhe të korruptuarit. PL nuk ekziston më, dy njerëzit që kanë qenë bashkëortakë, tani të divorcuar që akuzojnë njëri-tjetrin për tradhti, janë dy njerëz që s’do kandidojnë më në zgjedhje se nuk kanë kokërr vote. PD dhe PL s’kanë marrëveshje me njëri-tjetrin. 5 emra që i kërkon Meta të sigurt në listë nuk do jenë, se s’ka ku të çojë të vetët”, nënvizoi Valteri për “Report TV”.
