Një grup i vogël militantësh u mblodhën sërish sot në protestën para bashkisë së Tiranës.
Edhe pse gushti u mbyll dhe pushimet ikën, militantët që protestojnë nuk janë shtuar në numër. Sërish janë një grusht, dhe mund të numërohen me gishta, tregues se pavarwsisht thirrjeve nga ballkoni mbwshtetja ndaj Sali Berishws ka rwnw
Ndërkohë disa nga militantët u shfaqën me thasë me mbeturina para bashkisë.
Përfaqësuesit e PD kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut, në kuadër të asaj që ata e quajnë edhe skandali me dosjen “5D” të drejtorëve të arrestuar, por dhe lirimin e Sali Berishës, që prej 30 dhjetorit 2023 ndodhet në arrest shtëpie.
Protestat e fundit janë shoqëruar me një pjesëmarrje të vetëm një grushti njerëzish dhe që numërohen me gishtat e dorës, teksa më parë ka pasur sulme të vazhdueshme ndaj godinës me “menu” të pasur, nga vezët dhe fruta-perimet, tek flakadanët, tymset, molotovët dhe djegia e gomave të përdorura, duke ndotur ambientin.
Paralajmërimi i policisë
Për të shmangur incidentet dhe trafikun, si çdo javë (që prej fundit të muajit Mars), Policia e kryeqytetit ka hartuar dhe ndërmarrë një plan masash.
“Për shkak të zhvillimit të një tubimi, ditën e sotme, në orën 11:00, përpara Bashkisë Tiranë, do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera në varësi të lëvizjes së tubuesve”, njoftoi policia.
Më tej sqarohet se “nga ora 11:00 dhe deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës”.
Policia apeloi për të gjithë qytetarët “që të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe”.
