Qeveria vendosi vitin e shkuar nisjen e një partneriteti të ri me biznesin privat, për të sjellë atë që po e quan rijetëzimi i pronës shtetërore. Bëhet fjalë për ndërtesa të vjetra, zyra dhe truall shtetëror që nëpërmjet marrëveshjeve do të rikonceptohen në projekte të reja, të cilat do të financohen nga privati. Në këtë nismë, shteti synon përfitimin e hapësirave të reja për zyra pa shpenzuar fonde, teksa privati do të marrë pas sipërfaqe ndërtimore, e cila do të hyjë në tregun e pasurive të paluajtshme. Korporata e Investimeve Shqiptare është institucioni kryesor që po zbaton këtë projekt, i cili lidhet me zhvillimin dhe menaxhimin e pronave të paluajtshme. Por çfarë përfiton shteti nga kjo formë e re partneriteti, duke nisur nga godinat e reja të Kadastrës dhe kompleksit governativ, te kullat LIFT dhe Void apo rezidencat qeveritare në Velipojë e Vlorë si dhe stadiumi “Selman Stërmasi” dhe godina e re e Bibliotekës Kombëtare.
Në qershor të vitit 2024, qeveria do të niste për herë të parë procedurat për disa projekte që do të ndërtoheshin potencialisht mbi prona shtetërore, në partneritet me privatin.
Gara që ngriti siparin për këtë fazë të re u njoftua si fillim nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe kishte dy lote, ku në disa faza do të përzgjidheshin projektet më të mira, që më pas do të zhvilloheshin në partneritet me sektorin privat.
Në këtë marrëdhënie, shteti do të përfitojë hapësira të reja për zyra, ndërsa privati, i cili do të financojë projektet, do të marrë sipërfaqe ndërtimore për shitje në disa nga zonat më të mira të kryeqytetit që do të hyjnë menjëherë në tregun e pasurive të paluajtshme.
Në shtator të vitit të shkuar u zgjodhën edhe projektet fituese, të cilat tashmë janë në fazën e kërkimit të investitorëve privatë, me të cilët shteti do të hyjë në marrëdhënie partneriteti.
