Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar sërish zv/kryeministren Belinda Balluku, duke theksuar se pavarësisht se është marrë zyrtarisht e pandehur nga SPAK, ajo nuk ka dhënë dorëheqjen dhe nuk ka dorëzuar imunitetin e deputetes.
Nga Manëzi, gjatë një takimi në kuadër të Foltores, Berisha akuzoi edhe kryeministrin Edi Rama se po e mbron Ballukun, duke refuzuar ta shkarkojë nga detyra, pavarësisht skandaleve që, sipas tij, rëndojnë mbi të.
“Zëvendëskryeministri Ilir Meta jepte dorëheqjen pa ia kërkuar prokuroria. Ndërsa sot, zv/kryeministrja Balluku as nuk jep dorëheqje, as nuk dorëzon imunitetin dhe as nuk shkarkohet nga kryeministri,” u shpreh Berisha.
Sipas tij, kjo sjellje është një mesazh për qytetarët se qeveria synon të vijojë abuzimet me fondet publike. “Kjo do të thotë: shqiptarë, ju kemi vjedhur dhe do t’ju vjedhim deri në fund,” deklaroi Berisha, duke shtuar se opozita ka për detyrë ta ndalë këtë situatë.
Kujtojmë se Balluku është marrë e pandehur për procedurën e prokurimit të tunelit të Llogarasë dhe është nën hetim edhe për lotet e Unazës së Madhe. Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar Kuvendit autorizim për heqjen e imunitetit të saj, hap që mund t’i hapë rrugë masave të sigurisë.
