Shqipëria rrezikon të futet në një spirale të rrezikshme ligjore, ku e drejta e pronës dhe liria individuale mund të kthehen në viktimat e para të një Kodi të ri Penal që po konsiderohet nga ekspertët si “kërcënimi më serioz ndaj shtetit të së drejtës që nga vitet e tranzicionit”. Juristë të njohur të vendit, mes tyre Ylli Manjani dhe Sokol Hazizaj, kanë ngritur alarmin për një paketë ligjore që, nën pretekstin e luftës kundër krimit, i hap rrugë një forme të re autoritarizmi shtetëror. I pari që ka goditur fort me argumente është ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Në një reagim të gjatë e të ashpër, ai e cilëson draftin e ri si një “bombë me sahat” për të drejtat themelore të qytetarëve. “Drejtësia penale siguron që t’i merret plaçka hajdutit, mashtruesit, grabitësit, jo çdo pasuri. Dhe këtë e bën vetëm pas një procesi të rregullt gjyqësor. Nuk mund të merret prona mbi bazë indiciesh apo perceptimesh nga një prokuror apo inspektor”, shkruan ai. Sipas Manjanit, projektkodi i ri jo vetëm që nuk e rregullon këtë problem, por e thellon atë. Me nenin e ri për “Pasurim të paligjshëm”, çdo pronar mund të kthehet në subjekt hetimi pa pasur prova konkrete, duke u vendosur nën barrën absurde për të provuar vetë ligjshmërinë e pasurisë së tij sa herë që një zyrtar shtetëror “dyshon”. Ai e quan këtë praktikë një “vetting të përjetshëm” për qytetarët, që shkel çdo parim të sigurisë juridike dhe lirisë së pronës. Në një pasazh tronditës, Manjani paralajmëron: “Të gjithë ata që kanë një pronë në Shqipëri, të pranojnë të jetojnë në pjesën e mbetur të jetës nën presionin e një vettingu abuziv ligjor e popullor. Pasurim i paligjshëm, është neni që propozohet. Dhe nëse është i ligjshëm apo jo, këtë nuk e paravlerëson një proces gjyqësor, por një polic, inspektor, apo prokuror inatçor ose protagonist.”
Juristët zbulojnë të pathënat e Kodit të ri Penal, nga konfiskimi i pasurive private tek dhunimi i lirive…
Data
