Nën drejtimin e Lorena Goxhobellit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) është kthyer në një institucion ku zvarritjet burokratike, mungesa e transparencës dhe korrupsioni i hapur janë kthyer në normë. Pavarësisht premtimeve për reformim, digjitalizim dhe efikasitet, realiteti me të cilin përballen qytetarët në kontaktin me Kadastrën është një tjetër: aplikime që zhduken, shërbime që ofrohen vetëm kundrejt ryshfetit dhe linja ankesash që mbyllen pa sqarim. Qytetarët kanë shpërthyer në rrjetet sociale me reagime të forta ndaj përvojave të tyre zhgënjyese.
Në Facebook, Instagram dhe platformën X (ish-Twitter), përdoruesit kanë denoncuar publikisht vonesa të pajustifikuara, abuzime flagrante dhe mungesën e përgjegjshmërisë nga zyrtarët e hipotekës. Ankesa të tilla si: “Kam një vit që pres certifikatën e pronës, ende asnjë përgjigje”, “Pa paguar nën dorë nuk merr dot asnjë shërbim”, apo “e-Albania më nxjerr ‘në proces’ prej muajsh, askush s’di gjë në zyrë” janë vetëm një pjesë e zërit të qytetarit të lënë në harresë. Më e rënda nga të gjitha ka qenë vendimi për të mbyllur kanalet zyrtare të komunikimit dhe ankesave. Drejtoresha Goxhobelli, sipas raportimeve ka mbyllur si linjën jeshile të ankesave 0800-8811, ashtu edhe adresën elektronike [email protected]. Ky veprim shihet si një goditje e rëndë ndaj të drejtës së qytetarëve për të kërkuar përgjigje ligjore dhe për të ngritur zërin ndaj padrejtësive. Përdoruesit në rrjetet sociale e kanë cilësuar këtë si “një përpjekje për të mbyllur gojën e qytetarit” dhe një “maskim të turpshëm të dështimeve masive të sistemit”.
