Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim një fraksion të procedimit penal të njohur si dosja “Metamorfoza”, në ngarkim të nëntë të pandehurve.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, procedimi përfshin Ervis Martinajn, Denis Brajoviqin, Klaodor Hakajn, Prekë Kodrën, Aleks Ndrekën, Nuredin Dumanin, Eljon Haton, Arsad Bashlin dhe Bardhyl Mavrajn.
Organi i akuzës bën të ditur se disa prej të pandehurve janë akuzuar për vepra penale që lidhen me vrasje me paramendim, sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, mbajtje pa leje të armëve, si edhe, në raste të veçanta, për korrupsion aktiv ndaj funksionarëve të drejtësisë. Akuzat lidhen me ngjarje të ndryshme të ndodhura gjatë viteve 2020 dhe 2021.
SPAK njofton se hetimet për këtë fraksion të çështjes janë zhvilluar edhe në mungesë për disa të pandehur, pasi masat e sigurisë ndaj tyre nuk janë ekzekutuar.
Në njoftim thuhet gjithashtu se për persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë procedim penal është vendosur ndarja e çështjes dhe hetimet paraprake vijojnë.
Sqarim: Procedurat gjyqësore janë në vijim. Pretendimet e paraqitura nga organi i akuzës dhe/ose palët do të vlerësohen nga gjykata kompetente, ndërsa personat e përfshirë prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
