Spaho thirrje demokratëve të mbështesin Ervin Salianjin, “shpërthen” kundër Berishës e Nokës: PD ka rënë në moçal

Data

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka bërë një deklaratë të fortë publike, ku pavarësisht kundërshtive të hapura që ka pasur ndër vite me Ervin Salianjin, u bën thirrje demokratëve që ta mbështesin atë, duke e konsideruar lëvizjen e tij të nevojshme për të ardhmen e PD.

Spaho shprehet se Partia Demokratike ndodhet në një gjendje të rëndë politike dhe organizative, për të cilën fajëson drejtpërdrejt Sali Berishën, duke theksuar se ai e përdor partinë për interesa personale. Ai sulmon ashpër edhe Flamur Nokën, të cilin e cilëson si figurën më të pabesë dhe intrigante që ka njohur gjatë 35 viteve në PD.

Sipas Spahos, përplasjet e tij politike nuk kanë qenë kurrë personale, por gjithmonë të diktuara nga interesi i Partisë Demokratike. Ai kujton konfliktet me Lulzim Bashën pas zgjedhjeve të vitit 2021 dhe qëndrimet e mbajtura në Grupin Parlamentar gjatë viteve 2023–2025, ku ka kërkuar hapur ndarje dhe krijimin e një force të re politike, ide që sipas tij u quajt “herezi” nga Berisha.

Në reagimin e tij të gjatë, Spaho thekson se pavarësisht kundërshtive të thella politike që ka pasur me Ervin Salianjin, ai beson se çdo ndryshim është jetik për PD, demokracinë dhe vendin. “PD ka rënë në moçal,” shprehet ai, duke shtuar se përgjegjësia kryesore për këtë situatë bie mbi drejtimin aktual të partisë.

Ai kritikon ashpër gjuhën politike, premtimet e parealizuara për protesta dhe rrëzime qeverish, si dhe përdorimin e narrativave të rreme për mbështetje ndërkombëtare. Spaho kërkon një reformim të thellë të Partisë Demokratike, ndryshim të programit, zëvendësim të drejtuesve në të gjitha nivelet, respekt ndaj institucioneve dhe veçanërisht ndaj SPAK.

Në fund, ai thekson se rikthimi në pushtet nuk mund të bëhet me forcë, retorikë boshe apo figura të diskredituara ndërkombëtarisht, por vetëm përmes reformimit real dhe sjelljes politike perëndimore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related