Sot pritet vendimi për Ballukun/ Në orën 11:00 mblidhet Gjykata Kushtetuese, presion i fortë politik mbi drejtësinë

Data

Sot në orën 11:00, Gjykata Kushtetuese do të mblidhet për të shqyrtuar sërish çështjen që lidhet me zv/kryeministren Belinda Balluku, në një nga momentet më të ndjeshme për drejtësinë shqiptare në vitet e fundit.

Seanca pritet të jetë vendimtare, teksa vëmendja publike dhe politike ndaj këtij procesi është në kulm. Vendimi i Gjykatës vjen në një klimë të tensionuar, ku institucionet e drejtësisë janë vënë nën presion të hapur politik, pas deklaratave të forta të kryeministrit Edi Rama, i cili ka sulmuar publikisht Gjykatën Kushtetuese dhe ka paralajmëruar pasoja nëse vendimet nuk do të shkojnë në linjën e mazhorancës.

Vetëm pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese mori një vendim të ndarë 5 me 3, duke rrëzuar pezullimin ndaj Ballukut, një vendim që shkaktoi reagime të forta politike dhe dyshime për ndikim mbi gjyqtarët kushtetues. Sot mbetet e paqartë nëse do të ketë një qëndrim të ri apo nëse balanca brenda Gjykatës do të mbetet e njëjtë.

Çështja Balluku është shndërruar në një test real për pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, në një kohë kur opozita dhe një pjesë e opinionit publik akuzojnë qeverinë për ndërhyrje direkte në proceset e drejtësisë dhe për përpjekje për të mbrojtur zyrtarë të lartë nga hetimet.

Vendimi i sotëm pritet të ketë pasoja të forta politike dhe institucionale, jo vetëm për fatin personal të Ballukut, por edhe për besueshmërinë e reformës në drejtësi dhe raportin mes pushtetit ekzekutiv dhe institucioneve të pavarura.

Gjithçka pritet të zbulohet në orën 11:00, ndërsa Shqipëria mban sytë nga Gjykata Kushtetuese.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related