Pavarësisht këmbënguljes se mbështet fuqishëm reformën në drejtësi, pasi kjo e fundit nuk do të ishte bërë realitet pa pëlqimin e saj, Partia Socialiste ka hedhur një tjetër hap për të kapur sistemin. Pak javë më parë, kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, kërkoi në raportimin para Këshillit të Lartë të Prokurorisë dy ndryshime të rëndësishme për mirëfunksionimin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion: Mundësinë e rimandatimit të prokurorëve aktualë të SPAK-ut dhe garanci për vendin e punës, pas mbarimit të mandatit. Por vetëm kërkesa e dytë ka gjasa të miratohet nga Parlamenti. Ka qenë kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, që drejton një grup pune me opozitën për ndryshimet e disa ligjeve të drejtësisë, sipas kërkesave të vetë institucioneve të drejtësisë, e cila e konfirmoi këtë fundjavë teksa ishte e ftuar në një studio televizive. Konkretisht pyetjes, nëse kërkesa për përsëritjen e mandatit të prokurorëve të SPAK-ut, do të pranohej, duke qenë se ka edhe disa amendamente nga grupimi i Lulzim Bashës, zonja Bushka iu përgjigj qartazi dhe negativisht. Sipas saj, ka një parim që duhet ruajtur në të tilla raste. “Mandati i prokurorëve të SPAK-ut është i parashikuar në Kushtetutë. Në ndryshimet ligjore që po punon grupi i punës, ndryshimet kushtetuese nuk janë në objektin e punës. Rekomandohet që Kushtetuta të mos ndryshojë pa mbaruar në tërësi procesi i vetingut”, deklaroi deputetja e PS, Klotilda Bushka.
Garancia për një vend pune
Nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka zbuloi se po pret opinionin e partnerëve për draftin e parë që u është nisur që prej shtatorit të kaluar. “Kërkesa për përsëritjen e mandatit të prokurorëve nuk është pjesë e diskutimeve. Çështja që është pjesë e tyre dhe ka një lloj dakordësie, ka të bëjë me paqartësinë në ligjin organik të SPAK-ut se çfarë ndodh me prokurorët e SPAK-ut, pasi mbarojnë mandatin e tyre. Si rregull duhet të kthehen ku ishin, por me krijimin e hartës së re gjyqësore apo me shkrirjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kjo do të duhet të qartësohet. Sugjerimi është që për vendet e suprimuara, të prokurorive të mëparshme, prokurorët e SPAK-ut të emërohen në Apele ose në Prokurorinë e Përgjithshme. Ne po presim mendimin e ekspertëve të BE dhe SHBA”, deklaroi deputetja e PS, Klotilda Bushka. Më tej ajo shtoi se ndoshta që javën e ardhshme, priten përgjigjet e ekspertëve europianë dhe amerikanë. Qëllimi është që ndryshimet të miratohen me konsensus deri në korrik, kur përfundon dhe sesioni parlamentar.
Çfarë kërkoj Dumani?
Ndërkohë kujtojmë se pak ditë më parë kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, ka kërkuar ndryshimin e ligjit për prokurorët e SPAK, me qëllim që ata të kenë mundësi për rikandidim pas mbarimit të mandatit 9-vjeçar. Gjithashtu, ai shprehet se ligji është i paqartë për fatin e prokurorëve pas mbarimit të mandatit. “Statusi aktualisht parashikon që prokurorët e SPAK pas përfundimit të mandatit 9 vjeçar të kthehen në prokurorinë ku kanë ushtruar më parë funksionin. Për shkak të ndryshimit të hartës një pjesë e këtyre prokurorive nuk ekzistojnë. Adnani nuk di ku të shkojë se është shkrirë prokuroria e krimeve të rënda. Është investuar aq shumë për ngritjen e tyre profesionale jo vetëm nga shteti por dhe ndërkombëtarët. Këta janë aset. Nuk kemi luksin ti çojmë në një vend tjetër. Nuk kemi aq burime njerëzore, e të kualifikuar dhe me integritet sa të plotësojmë boshllëqet e krijuara. Rivlerësim dhe dhënie mundësie për të kandiduar. Do të thotë unë si Altin Dumani do të vij të konkurroj. Nuk thashë të emërohet automatikisht”, deklaroi Dumani.
Paralajmërimi
Sakaq më herët gjatë javës që shkoi, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka paraqitur në Parlament Projektligjin që i jep përgjigje pyetjes, çfarë do të ndodh me prokurorët e SPAK në përfundim të mandatit 9 vjeçar. Teksa SPAK sot ndodhet në vitin e 5 dhe me drejtuesin e dytë, z.Basha Propozon në Projektligj që atyre tu njihet e njëjta pagë dhe tre muaj pas përfundimit të mandatit të emërohen si prokuror apeli ose si drejtues me kërkesën e tyre në Prokuroritë e Rretheve. bardh draftin e Bashës i cili është depozituar në Parlament dhe pritet n.q.s do të marrë apo jo ok e politikës, pasi këto ndryshime kërkojnë edhe shumicë votash. Ne piken 1 te nenit 17 pas germës e) shtohet germa e) me këtë përmbajtje: “e) Sektori i Ndihmës Ligjore” Neni 2 Ne nenin 12 pika 4 ndryshohet si vijon: “4. Ne përfundim te mandatit te prokurorit te posaçëm, Këshilli i Larte i Prokurorisë, brenda tre muajve, e emëron ate pa konkurrim ne Prokurorinë e Përgjithshme, ne prokurorinë e Apelit, ose me kërkesë te prokurorit ne pozicionin e drejtuesit te prokurorisë se rrethit. Prokurori i posaçëm ruan te njëjtin nivel page edhe pas përfundimit te mandatit”.
