Pas burgosjes së deputetit Ervin Salianji, Partia Demokratike ka marrë vendimin që të radikalizojë aksionin e saj, teksa ka thirrur dhe një protestë kombëtare më 6 Tetor, teksa mbetet për t’u parë se si do të jetë.
Nënkryetari i PD-së Agron Gjekmarkaj i ftuar në emisionin “Kjo Javë”, i pyetur se çfarë pritet të ndodhë në seancën plenare të ditës së hënë, deklaroi se në Kuvend tasshmë nuk do të ketë më paqe. Ai tha se nuk mund të ketë marrëdhënie normale me maxhorancën, e cila sipas tij, kërkon të asgjësojë opozitën.
Gjekmarkaj: Kur institucionet kthehen në bunker dhe nga frëngjitë e tyre lëshohen goditje ndaj opozitës, atëherë jemi shndërruar në autokraci. Opozita po konsiderohet si armike. Ata shfaqen sikur ata duan progresin, sikur ata janë patriotët e ne tradhtarët. Trupi i PS është një organizëm pa shpirt, ku duartrokitet vetëm lideri. PS sot është një parti totalitare. PD nuk mund të ketë më marrëdhënie normale me maxhorancën, sepse PS nuk ofron mundësi bashkëpunimi.
Ne do diskutojmë dhe vendimet do i merrni vesh. Në parlamentin e Shqipërisë nuk do ketë më paqe, kur opozita burgoset për fjalën e lirë. Nuk do ketë asnjë grimcë normaliteti, me ata njerëz që na shohin neve si armiq. Nuk mund t’i dhurosh dorën dikujt që do të të zhdukë. Ne po qëndrojmë deri në fitore, ne nuk do ndalemi.
Gjekmarkaj u shpreh më tej se opozita hyn në një stinë protestash të domosdoshme, ndërsa theksoi se “ne jemi të vetmit që mund t’i kthejmë Shqipërisë normalitetin, garancitë kushtetuese dhe demokratike”.
