Në dosjen 500 faqe të SPAK ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv. Gjithashtu përgjatë viteve, konstatohet se edhe familja Berisha ka aksesuar dhe përfituar nga të ardhurat e familjes Malltezi. Gjithashtu, në hetimet e Prokurorisë së Posaçme del edhe emri i Shkëlzen Berishës dhe disa transaksione të dyshimta me dy biznesmenë. Në dosje evidentohet se biznesmeni Myftar Lumeshi i ka blerë Shkëlzen Berishës, një apartament me vlerë 600 mijë euro tek ETC-ja në Tiranë. Shkëlzen Berisha e kishte blerë pasurinë e paluajtshme në vitin 2013, për 346 mijë euro. Jo vetëm kaq, por që nga 2013 deri në momentin e shitjes, Shkëlzen Berisha e ka dhënë apartamentin me qira.
Hetimet e SPAK
Sipas SPAK, Shkëlzen Berisha ka prona të deklaruara fillimisht si të marra me qera dhe më pas përfundojnë në pronësi të tij. Sipas Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thuhet se Shkëlzen Berisha fillimisht morri me qera pronën e Albert Hanit, me një kontratë qiraje prej 5 vitesh duke filluar nga data 01.11.2007 deri më 31.12.2012, me shumën prej 500 eurosh në muaj. Derisa: më datë 07.01.2013, Albert Hani i kalon të drejtat dhe detyrimet mbi apartamentin dhe garazhin kundrejt pagesës 346,000 euro në emër të Shkëlzen Berishës. Prona e blerë nga Shkëlzen Berisha do të përdorej, më vonë nga kunati i tij Jamarbër Malltezi për blerjen e tokave në Marqinet.
Marrëdhënia e biznesmenit Albert Hani dhe Shkëlzenit si dhe përfshirja e Malltezit
Në dosjen e SPAK thuhet se: Nga aktet rezulton se, shtetasi Albert Hani ka pasur një marrëdhënie kontraktore edhe me shtetasin Shkëlzen Berisha. Me kontratën e qerasë nr. 2305, rep nr. 734 kol, datë 15.11.2007, para noteres Laura Pustina, shtetasi Albert Hani i jep me qera shtetasit Shkëlzen Berisha, një pasuri të llojit apartament banimi me sipërfaqe 216.6 m², i ndodhur në katin e dhjetë të ndërtesës në kullën nr. 2, të cilën e dispononte në bazë të një kontrate shitjeje me rezervë, me nr. 588 prot. datë 23.11.2006, lidhur me shoqërinë Edil Al-It. Qeraja do të ketë një afat pesëvjeçar, duke filluar nga data 01.11.2007 deri më 31.12.2012, dhe qeraja do të jetë në shumën mujore prej 500 euro, e cila do të paguhet brenda datës 05 të çdo muaji në formë paradhënie në cash.
Me kontratën nr. 22/10/4, rep/kol dt. 07.01.2013, është vendosur zëvendësimi i kreditorëve në kontratën e porosisë me objekt apartamentin tip 7 me sipërfaqe ndërtimi 193.1 m², kati 10, godina European Trade Centre, Kulla nr. 2, me orientim perëndim dhe veriperëndim, duke kaluar të drejtat reale, të njohura, në bazë të kontratës së shitjes me rezervë nr. 588 prot. dt. 23.11.2006 ndërmjet z. Albert Hani dhe shoq. Edil Al-It, dhe kontratës së porosisë me objekt garazhin nr. 50 në katin nëndhe, sipërfaqe 20.2 m², duke kaluar të gjitha të drejtat reale të njohura në bazë të kontratës së shitjes me rezervë nr. 61 prot. dt. 02.02.2007 ndërmjet z. Albert Hani dhe shoq. Edil Al-It, te pala e dytë kreditori zëvendësues z. Shkëlzen Berisha. Kalimi i të drejtave dhe detyrimeve mbi apartamentin dhe garazhin kundrejt pagesës 346,000 euro (do të shlyhet brenda 8 muajsh me anë të kreditit bankar që do akordohet nga një bankë e nivelit të dytë për shlyerjen e çmimit të kalimit të pasurive). Me marrjen e certifikatave të pronësisë në ZVRPP, A. Dulaku njeh si palë në kontratën përfundimtare të shitblerjes së këtij ambienti banimi dhe garazhit z. Shkëlzen Berisha”, thuhet ndër të tjera në dosjen e SPAK.
