Kreu i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me debatin për projektin në Zvërnec.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Qori iu përgjigj ironisë së Ramës, i cili gjatë fjalës së tij u shpreh se qytetarët duhet të zgjedhin mes vizionit të tij dhe atij që ai e quajti “Arlindo dritëgjati”.
Sipas Qorit, shqetësimi i vërtetë i kryeministrit nuk është figura e tij personale, por fakti që aktivistët e Lëvizjes Bashkë mbështesin kërkesat dhe të drejtat e qytetarëve.
“Frika e vërtetë e Ramës nuk është se njerëzit ndjekin mua, por se unë dhe gjithëkush tjetër në Lëvizjen Bashkë shkojmë pas popullit dhe mbrojmë të drejtat legjitime të çdo qytetari”, shkruan Qori.
Ai argumenton se protestat e zhvilluara ditët e fundit në Zvërnec dhe në Tiranë kanë treguar qartë se shumica e qytetarëve kundërshtojnë tjetërsimin e pasurive publike dhe kërkojnë mbrojtjen e pronës dhe mjedisit.
Sipas tij, kërkesat kryesore të protestuesve janë mosshitja e territoreve shqiptare oligarkëve vendas apo të huaj, njohja e të drejtave të pronarëve legjitimë dhe ruajtja e pasurive natyrore.
“Njerëzit kërkojnë që asnjë copë truall i Shqipërisë të mos u jepet oligarkëve, kërkojnë mbrojtjen e natyrës dhe respektimin e pronës private”, theksoi ai.
Në fund të reagimit të tij, Qori sulmoi njëkohësisht kryeministrin Rama dhe kreun e Partia Demokratike, Sali Berisha, duke deklaruar se të dy përfaqësojnë një model politik që duhet të marrë fund.
“Qytetarët kërkojnë që Edi Rama dhe ortaku i tij Sali Berisha të përfundojnë në stacionin e merituar, në koshin e plehrave të historisë bashkëkohore të Shqipërisë”, përfundon deklarata e kreut të Lëvizjes Bashkë.
