Skandali i tenderave në AKSHI/ Biznesmeni Gerond Meçe u mor peng dhe u shantazhua për t’u tërhequr nga garat, SPAK zbardh skemën kriminale

Data

Detaje të rënda kanë dalë në dritë nga hetimi i SPAK në lidhje me skandalin e tenderave në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku sipas prokurorisë, një biznesmen është marrë peng dhe është shantazhuar për t’u tërhequr nga garat publike.

Sipas gazetares Klodiana Lala, biznesmeni Gerond Meçe, një nga operatorët që fitonte më së shumti tendera në AKSHI, është mbajtur peng për disa orë dhe është detyruar me dhunë dhe shantazh të tërhiqet nga të gjitha procedurat tenderuese.

Nga hetimet e SPAK rezulton se Ergys Agasi, në bashkëpunim me Ermal Beqirin, kanë kryer aktin e pengmarrjes me qëllim eliminimin e konkurrencës. Pas presioneve të vazhdueshme, Meçe është detyruar jo vetëm të heqë dorë nga garat, por edhe të tërheqë ankimimet që kishte depozituar për disa tendera pranë komisioneve përkatëse.

Sipas burimeve hetimore, provat janë siguruar përmes:

  • këqyrjes së kamerave të sigurisë,
  • analizës së celularëve,
  • dëshmive direkte dhe indirekte të administruara nga SPAK.

Pas ngjarjes, biznesmeni është paraqitur personalisht pranë komisioneve të vlerësimit për të formalizuar tërheqjen nga procedurat.

Në kuadër të këtij hetimi, SPAK ka caktuar masa sigurie për disa persona:

  • Mirlinda Karçanaj, drejtoreshë e AKSHI-t – arrest shtëpie
  • Hava Delibashi, zv.drejtoreshë e AKSHI-t – arrest shtëpie
  • Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri – arrest me burg
  • Andis Papa dhe Gëzim Hoxha – masa ndaluese
  • Erjon Ismaili, zv.drejtor i Policisë së Tiranës – pezullim nga detyra

Hetimet kanë zbuluar se drejtuesit e AKSHI-t kanë favorizuar kompanitë e Ermal Beqirit, duke i dhënë dhjetëra tendera me vlera shumë të larta, në shkelje të barazisë në garë.

Ndaj Agasit dhe Beqirit rëndojnë akuza të rënda, mes tyre:

  • konkurrencë e paligjshme përmes dhunës,
  • heqje e paligjshme e lirisë,
  • grup i strukturuar kriminal,
  • pastrim parash,
  • kryerje e veprave penale në bashkëpunim.

Ndërkohë, për drejtoreshën dhe zv.drejtoreshën e AKSHI-t, akuzat lidhen me shkeljen e barazisë në tendera në bashkëpunim.

SPAK ka ushtruar dhjetëra kontrolle në banesa dhe ambiente biznesi për sigurimin e provave. Një prej kontrolleve është kryer edhe në ambientet e biznesit të Klajdi Merkajt, i arrestuar më herët për lidhje me organizata kriminale, ku dyshohet se janë pastruar miliona euro të përfituara nga tenderat e AKSHI-t.

Sipas burimeve, tenderat kryesorë nën hetim lidhen me:

  • mirëmbajtjen e thesarit të shtetit,
  • administrimin e dosjeve gjyqësore.

SPAK dyshon se përmes këtyre kontratave, grupi kriminal kishte akses në të dhëna shumë sensitive, përfshirë transaksione financiare, dosje gjyqësore, caktime gjyqtarësh dhe informacione për persona të ekspozuar politikisht.

Hetimet vijojnë, ndërsa priten zhvillime të tjera në një nga dosjet më të rënda të korrupsionit dhe krimit të organizuar që lidhet me tenderat publikë në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related