‘Nga Tuneli i Llogarasë tek AKSHI’, Berisha: Kjo qeveri hajdute ka administruar 67 mld euro, 90% i ka vjedhur

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar akuzat ndaj qeverisë gjatë një takimi me demokratët, duke deklaruar se Shqipëria ndodhet nën një diktaturë autoritare që, sipas tij, nuk mund të rrëzohet me votë, por vetëm me revoltë popullore.

Berisha u shpreh se ata që besojnë se një regjim i tillë mund të përmbyset përmes zgjedhjeve, “mashtrojnë veten e tyre”. Sipas tij, ligji nuk ekziston më dhe institucionet janë të kapura nga pushteti politik.

Në fjalën e tij, ai u ndal veçanërisht te çështja e zv.kryeministres Belinda Balluku, duke deklaruar se prej dy muajsh Prokuroria ka kërkuar heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj, por nuk ka asnjë veprim, pasi – sipas Berishës – ajo mbrohet drejtpërdrejt nga kryeministri Edi Rama.

“Urdhër-arrestet dhe urdhër-pezullimet hidhen në kosh. Rama nuk ia heq dot imunitetin, sepse në momentin që ajo ulet në bankën e të akuzuarve, thotë se ka zbatuar çdo urdhër të tij – dhe nuk gënjen,” deklaroi Berisha.

Ai akuzoi qeverinë për afera të mëdha financiare, duke përmendur Tunelin e Llogarasë, rrugën Thumanë–Kashar dhe tenderët e AKSHI-t. Sipas tij, nga 67 miliardë euro që kjo qeveri ka administruar ndër vite, të paktën 90% janë vjedhur ose shpërdoruar.

Berisha solli si shembuj inceneratorin e Tiranës, me 130 milionë euro të zhdukura, dhe kontrata të tjera që sipas tij janë fituar nga persona të lidhur familjarisht me kryeministrin. Ai përmendi gjithashtu dy raste pengmarrjeje të biznesmenëve që, sipas tij, u ndëshkuan vetëm sepse guxuan të konkurronin në tenderë të paracaktuar.

Në vijim, Berisha u ndal edhe te falja e gjobave dhe kamatave nga qeveria, të cilën e cilësoi si blerje masive votash. Ai deklaroi se shuma reale e falur nuk ishte 200 milionë euro, por 2 miliardë euro, duke ndikuar drejtpërdrejt rreth 200 mijë familje.

“Nuk ka zgjedhje me diktatorët. Edhe me 3 apo 4 milionë votues, 2 miliardë euro i rrëzojnë zgjedhjet,” tha ai, duke shtuar se një kryeministër që respekton dinjitetin njerëzor nuk mund të kryejë akte të tilla.

Në përfundim, Berisha theksoi se opozita ka arritur ta ekspozojë qeverinë para opinionit ndërkombëtar si një regjim që cenon votën e lirë, duke përmendur rezoluta ndërkombëtare që, sipas tij, mbështesin kauzën e opozitës.

“Ne ia dolëm ta paraqesim para botës ashtu siç është: armik i votës së lirë, narkodiktator dhe shkatërrues i kombit të tij,” përfundoi Berisha.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related