“Si Escobari ndaj gjyqtares Sánchez” – Xhaferri shpërthen ndaj Ramës: Më 10 shkurt, shqiptarët kundër narkoshtetit

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për kërcënime të hapura ndaj segmenteve të drejtësisë dhe për presion politik mbi institucionet e pavarura.

Në reagimin e tij, Xhaferri e krahason sjelljen e Ramës me atë të baronit të drogës Pablo Escobar, duke thënë se kryeministri po vepron njësoj si Escobari ndaj gjyqtares Sánchez, e cila kishte urdhëruar arrestimin dhe ekstradimin e tij drejt SHBA-së. Sipas deputetit demokrat, kjo gjuhë dhe këto praktika janë të paprecedenta për një kryeministër dhe përbëjnë rrezik serioz për shtetin e së drejtës.

Xhaferri thekson se kërcënimet e Ramës ndaj drejtësisë nuk lidhen me një çështje të veçantë apo me mbrojtjen e një individi, por me frikën e tij personale për t’u përballur me drejtësinë për vendimet dhe firmat e marra gjatë qeverisjes.

“Rama nuk po i kërcënon gjykatat për Belinda Ballukun, por për hallin e tij. Ai e di se çdo firmë e tij dhe e deleguar do të shqyrtohet dhe se pas tyre ka korrupsion dhe favorizim të krimit të organizuar,” shkruan Xhaferri.

Deputeti akuzon kryeministrin se qeveris me mbështetjen e krimit të organizuar, duke i dhënë këtij të fundit përfaqësim politik dhe institucional, siç sipas tij nuk ka ndodhur askund tjetër në Ballkan dhe Evropë.

Në fund të reagimit, Xhaferri paralajmëron protesta kombëtare më 10 shkurt, duke ftuar qytetarët të dalin kundër asaj që ai e cilëson shndërrimin e Shqipërisë në një narkoshtet.

“Më 10 shkurt, shqiptarët do të dalin kundër njeriut që e ktheu Shqipërinë në narkoshtetin e parë në botë,” përfundon reagimi i deputetit demokrat.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related