Në zyrat e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ndodhet një nga dosjet më voluminoze të dekadës, që lidhet me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe përfshirjen e grupeve shqiptare në rrjetet globale të karteleve. Hetimi, që ka marrë përmasa ndërkombëtare, po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me DEA-n, FBI-n dhe së fundmi edhe me CIA-n amerikane, pas urdhrit ekzekutiv të firmosur nga ish-presidenti Donald Trump për intensifikimin e operacioneve kundër organizatave të drogës të shpallura si struktura terroriste. Nicolas Maduro, është shënjestra më e shtrenjtë aktualisht. Drejtësia ka ofruar 50 milionë dollarë shpërblim për informacionet që çojnë në arrestimin e tij, me akuza për trafikun e drogës. DEA, FBI por edhe ushtria ishin forcat e angazhuara intensivisht në betejën antitrafik ndaj kreut të Venezuelës.
Plani
Burime konfirmojnë se aktivizimi i CIA-s nga Trump ka ndryshuar arkitekturën e operacioneve antinarkotikë në Ballkan. Në kuadër të këtij urdhri ekzekutiv, janë ngritur ekipe të përbashkëta hetimi mes institucioneve shqiptare dhe agjencive amerikane, me synimin për të goditur zinxhirin financiar të karteleve që operojnë nga Amerika Latine deri në Europë. Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, është përfshirë në disa takime të mbyllura me zyrtarë të ambasadës amerikane para disa ditësh. Gjithashtu ai zhvilloi një vizitë edhe në SHBA, në kuadër të bashkëpunimit kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave. Dumani zhvilloi takime të nivelit të lartë gjatë vizitës zyrtare në Washington D.C., më 2 dhe 3 shtator. Gjatë takimeve me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Byrosë Federale të Hetimit (FBI), u diskutua mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes SPAK dhe agjencive ligjzbatuese amerikane për të goditur organizatat kriminale ndërkombëtare, për të ndaluar trafikun e paligjshëm të narkotikëve dhe pastrimin e parave. Po ashtu gazeta raportoi disa ditë më parë se takimi fundit i Ambasadës Amerikane në Tiranë ka qenë më 1 tetor, kur Nancy VanHorn, u takua me Presidentin Bajram Begaj në Presidencë. Takimi u zhvillua, sipas burimeve diplomatike, në prani të shefit të stacionit të CIA për Tiranën ditën që kreu i shtetit do të firmoste dekretin për zgjedhjet e reja në Tiranë, duke njohur de facto shkarkimin e Veliajt në kundërshtim me kushtetutën. Futja në lojë e një funksionari të shërbimeve sekrete amerikane në takimin e presidencës është një rast i rrallë që tregon se marrëdhëniet me qeverisjen shqiptare janë futur në ngërç. Mesazhi që është përcjellë ka të bëjë me situatën e ngarkuar kriminale me uzurpimin e shtetit nga bandat e drogës dhe korrupsioni, i evidentuar qartazi në raportin e DASH.
