Avokati Genci Gjokutaj ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të kryeministrit Edi Rama në lidhje me çështjen e zv/kryeministres Belinda Balluku, duke i cilësuar ato si presion politik të drejtpërdrejtë mbi Gjykatën Kushtetuese dhe një përpjekje për t’iu shmangur përgjegjësisë institucionale.
I ftuar në një intervistë televizive, Gjokutaj deklaroi se çështja e Ballukut ishte e qartë ligjërisht që në fillim dhe se kryeministri kishte disa opsione të drejtpërdrejta për ta zgjidhur: kërkesë për dorëheqje, shkarkim nga detyra ose mbajtje pezull me caktimin e një zëvendësi tjetër. Sipas tij, Rama nuk guxoi të ndërmerrte asnjërën prej këtyre hapave, për shkak të një “lufte të brendshme politike” dhe raportit të tensionuar mes tij dhe Ballukut.
“Rama e hoqi topin nga këmba e tij dhe ia çoi Gjykatës Kushtetuese një çështje që mund ta zgjidhte vetë. Ky është modeli i tij politik: të mos firmosë, të mos marrë vendime direkte dhe të shmangë përgjegjësinë,” u shpreh Gjokutaj.
Ai theksoi se ndërhyrja e Ramës ndërpreu procesin normal të ankimimit që Balluku kishte nisur në Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke krijuar një situatë procedurale të paprecedentë. Sipas tij, pezullimi i vendimit nga Gjykata Kushtetuese bëri që Apeli të mbetej pa objekt gjykimi.
Gjokutaj foli për “dy Rama” në raport me drejtësinë: një Rama që dikur promovonte reformën në drejtësi dhe inkurajonte SPAK-un kundër korrupsionit të opozitës, dhe një Rama që sot, sipas tij, sulmon SPAK-un, GJKKO-në dhe Gjykatën Kushtetuese sapo hetimet afrohen te qeveria.
Një nga pikat më të forta të kritikës ishte rikthimi i përkohshëm i Ballukut në detyrë. Sipas Gjokutajt, brenda vetëm një muaji ajo ka firmosur rreth 100 milionë euro tendera, duke krijuar një precedent të rrezikshëm.
“Ky është precedenti i vërtetë i paparë. Jo ai që pretendon Rama. Kthimi i saj në detyrë, qoftë edhe përkohësisht, solli firmosjen e kontratave me vlerë dhjetëra miliona euro,” deklaroi ai.
Avokati e cilësoi votimin 4 me 4 në Gjykatën Kushtetuese si tregues të presioneve të forta politike dhe tentativave për t’i dhënë mbrojtje kushtetuese korrupsionit të qeverisë. Megjithatë, ai shtoi se kjo ndarje votash është “e keqja më e vogël”, pasi sipas tij, Kushtetuta dhe ligji janë të qarta për misionin e organeve të posaçme antikorrupsion.
“Korrupsioni nuk bëhet nga qytetarët e thjeshtë, por nga zyrtarët e lartë. Pikërisht për këtë janë krijuar SPAK-u dhe GJKKO-ja. Askush, qoftë kryeministër, ministër apo president, nuk mund të jetë mbi ligjin,” përfundoi Gjokutaj.
