Sali Berisha ka nxituar të thotë se ky raport i votuar me shumicë në komision për ti kaluar më pas seancës plenare vulosi përfundimisht farsën elektorale të cilën PD-ja pretendon. “Mendoj se raporti që sapo u miratua në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, damkosi në mënyrë të qartë si kristali regjimin e Edi Ramës, si një regjim që nuk respekton shtetin ligjor, si një regjim që shkelmon të drejtat themelore, të drejtën e informimit, lirinë e shprehjes dhe të drejtën e pronës” tha ai duke shtuar: “Ky raport denoncoi me qartësinë më të madhe farsën elektorale të 11 Majit 2025 pasi e vërteta është se raporti citon hyrjen e raportit të përbashkët të OSBE/ODIHR, Parlamentit Europian, Këshillit të Europës dhe Asamblesë Parlamentare të OSBE, në të cilin që në rreshtat e para thuhet se qeveria përdori burime të gjera për të dominuar në zgjedhje. Pra, faktikisht ajo do të thotë se qeveria i shndërroi zgjedhjet në një farsë elektorale”.
Ndonëse delegacioni i PD-së i kryesuar nga Berisha arriti disa sukese duke hapur derën edhe për ngritjen e një komisioni faktmbledhës të këtij komisioni në fillim të vitit të ardhshëm në Shqipëri, ashtu siç pohoi kryetari i tij David McAllister, situata nuk është aq rozë sa e përshkruan opozita.
Pavarësisht se bëri vërejte për përdorimin e administratës, keqinformimin nga media etj në raport zgjedhjet e 11 majit etiketohen si konkuruese, term që është shum larg të qenit një farsë siç përshkruhet në gjuhën e PD-së.
Raporti i votuar me 57 vota pro, 11 kundër dhe 6 abstenime, i konsideron zgjedhjet parlamentare të majit 2025, si konkurruese, por të zhvilluara në një mjedis shumë të polarizuar, me shqetësime mbi përdorimin e burimeve administrative. Ai u bën thirrje partive politike shqiptare të angazhohen për reforma gjithëpërfshirëse zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.
